Historik

Historik

Dega e parë e Bankës Kombëtare Tregtare u themelua në Durrës më datë 29 nëntor 1925, në godinën historike ku sot ndodhet Dega e BKT në Durrës. Godina në të cilën ndodhet kjo degë e BKT-së përfaqëson aktualisht institucionin financiar shqiptar më të vjetër në vend. Më 1 nëntor 1926 dhe 15 nëntor 1926 u hapën respektivisht degët e Shkodrës dhe të Vlorës.

Banka Kombëtare Tregtare me emërtimin e që ka sot u themelua në janar 1993, nga bashkimi i Bankës Tregtare Shqiptare (BTSH) dhe Bankës Kombëtare të Shqipërisë (BKSH). Ndërkohë sot BKT është banka më e madhe e dhe më e vjetër tregtare në Shqipëri.

BTSH u themelua me 1991 si rezultat i nënndarjes së aktiviteteve të Bankës së Shtetit Shqiptar, aktiviteti kryesor i së cilës ishte menaxhimi i operacioneve të tregtisë së jashtme të subjekteve shtetërore me ish-vendet socialiste.

BKSH u ngrit me 1992 nga një nënndarje e dytë e Bankës së Shtetit Shqiptar me qëllim menaxhimin e aktivitetit tregtar brenda vendit të subjekteve shtetërore. Aktivet dhe pasivet nga aktivitetet e këtyre subjekteve iu transferuan llogarive të BKT-së që prej formimit të saj.

Banka Kombëtare Tregtare u krijua si Shoqëri Aksionere në korrik 1997 me një kapital prej 2.7 miliardë Lekësh.

BKT-ja përfundoi procesin e privatizimit në vitin 2000. Parlamenti shqiptar aprovoi me 6 korrik 2000 kontratën e shitjes ndërmjet Ministrisë së Financave nga njëra anë dhe Konsorciumit të Investitorëve Ndërkombëtare (60% e aksioneve), Korporata Ndërkombëtare Financiare (20%) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (20%) nga ana tjetër. Kalimi i pronësisë u bë efektiv me 17 Tetor 2000. Aksionerët e rinj derdhën 10 milionë dollarë, duke rezultuar në një kapitalizim të fuqishëm të bankës.

Nën drejtimin e aksionerëve të rinj dhe menaxhimit të ri, të përbërë thuajse terësisht nga një staf i huaj me eksperiencë të gjerë ndërkombëtare, BKT-ja ndërmori transformime rrënjësore në 2001, për ndërtimin e infrastrukturës dhe ristrukturimin e çdo aspekti operacional të bankës duke filluar që nga personeli, procedurat e deri tek infrastruktura e teknologjisë së informacionit dhe shndërrimin e burimeve të veta njerëzore në një skuadër të re e dinamike profesionistësh të angazhuar për të arritur nivele përsosmërie.

Në shkurt 2003, me një vendim të Mbledhjes së Përgjithshme të Aksionerëve, kapitali i paguar i bankës arriti në shumën 14.64 milionë dollarë, duke e kthyer BKT-në në bankën më të kapitalizuar të sistemit bankar shqiptar.

Viti 2006 filloi me një faqe të re për BKT. Me të marrë aprovimin nga Banka e Shqipërisë dhe vendimin e posaçëm gjyqësor, me 9 Qershor 2006 u miratua transferimi i aksioneve që konsistonte në kalimin e 60% + 2 të aksioneve të BKT në favor të Çalik-Seker Konsorsiyum Yatirim A.S.

Pas vendosjes për zgjerim edhe ne Kosovë, numri i degëve ne Kosovë arrin në 27, duke e bërë BKT-në bankën shqiptare më të madhe në rajon.

Më 30 Qershor 2009, Çalik Financial Services blen pjesën e aksioneve të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim duke u bërë në këtë mënyrë aksionerja e vetme e BKT me 100% të aksioneve.

Gjatë viteve 2006 – 2011 BKT, me performancën e arritur merr një seri vlerësimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat disa herë rresht si “Banka më e mirë e vitit” në Shqipëri, Banka më e mirë, ndër bankat e nivelit të mesëm, në Europën Juglindore” duke kulmuar me vlerësimin si “Banka më e mirë e vitit në Europën Juglindore në vitin 2009”. Njëkohësisht për dy vite rresht, BKT vlerësohet me notën AAA (Alb) nga instituti prestigjioz JCR- ER. Në të njëjtën kohë Banka e Shqipërisë për të tretën herë dhe për të pestin vit rradhazi vlerëson BKT me notën 1- Strong sipas Sistemit të Vlerësimit Bankar CAMELS duke konstatuar në këtë mënyrë rritjen akoma më të madhe të besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së BKT në sistemin bankar shqiptar. Njëkohësisht revista prestigjioze e sektorit bankar The Banker, pjesë e Financial Times, vlerëson 2 vite rresht (2010 dhe 2011) BKT-në si bankën e vitit në Shqipëri.

Prej 2011, BKT vazhdoi të rrisë pjesën e saj të tregut në çdo segment të shërbimeve bankare duke u bërë kështu dhe banka më e madhe në vend përveçse më e vjetra. EMEA Finance dhe Euromoney e vlerësuan BKT si Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2012, ndërsa JCR-ER e vlerësoi me notën AA(Alb) për Qeverisjen e Korporatave. Viti 2013 ishte viti më i suksesshëm për BKT pasi ajo mundi të fitojë të tre çmimet më prestigjoze të sektorit bankar duke u shpallur Banka më e mirë në Shqipëri nga EMEA Finance, Euromoney dhe The Banker, ndërsa Drejtori i Përgjithshem i BKT fitoi çmimin “CEO i Vitit në Europë” nga EMEA Finance. Sukses ky që u përsërit në vitin 2014 duke fituar përsëri jo vetëm tre çmimet e mëdha por edhe çmimin për Përgjegjshmërinë Sociale të Korporatës nga EMEA Finance dhe notën AAA(Alb) për Qeverisjen e Korporatave nga JCR. Viti 2015 është viti i 90 i veprimtarisë financiare të BKT.

 
BKT vazhdon të ofrojë produkte, shërbime dhe zgjidhje inovative duke shtuar vlerë për një bazë të gjerë klientësh përmes një platforme të fortë shërbimesh. Viti 2018 ka qenë gjithashtu një moment historik për BKT-në me investime masive drejt digjitalizimit të shërbimeve tona që po u ofrohen klientëve tanë.

Viti 2018 ishte viti i transformimit të Degës së BKT Kosovë në filial të BKT Shqipëri.

BKT është vlerësuar me çmime të ndryshme prestigjioze në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke marrë vazhdimisht të gjitha çmimet kryesore në industrinë bankare:

The Banker rikonfirmon BKT-në si “Banka më e mirë në Shqipëri” për të dymbëdhjetin vit.

JCR Eurasia Rating ka shpallur Notën e Vlerësimin Kombëtar për Bankën Kombëtare Tregtare Sh.A. me ‘AAA (Alb)’ në terma afatgjatë, e cila tregon shkallën më të lartë të investimit, dhe 'A-1+ (Alb)' në terma afatshkurtër me një perspektivë 'Të Qëndrueshme' për të dy vlerësimet.

Emea Finance ka vlerësuar si "Banka më e Mirë në Shqipëri" dhe "Banka më inovative" për vitin 2020 në Evropën Qendrore - Lindore dhe Bashkësinë e Shteteve Të Pavarura në edicionin e trembëdhjetë “Çmime për Bankat Evropiane për vitin 2020”.

Revista Global Finance vlerësoi Bankën Kombëtare Tregtare si “Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2022". Ky çmim i marrë nga kjo revistë prestigjioze thekson vlerësimin e tij ndër vite.

BKT Smart Invest, Aplikacioni për Investime Ndërkombëtare ka marrë miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Smart Invest është platforma e parë bankare në Shqipëri, që u lejon klientëve tanë të investojnë në një gamë të gjerë produktesh financiare investuese nga e gjithë bota.