Page 16 - BKT Annual Report 2023
P. 16
16 BANKA KOMBËTARE TREGTARE
MESAZHI
I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM
Të nderuar Partnerë,
Duke përfituar nga struktura e bilancit tonë, e cila është e mirëkapitalizuar dhe likuide, ne e mbyllëm
vitin 2023 me fitim shumë të lartë: 26 për qind kthim mbi kapitalin në USD. Të ardhurat gjithëpërfshirëse
për vitin janë në një rekord prej 118 milionë USD, i cili do të na lejojë të vazhdojmë me pagesën e
planifikuar të dividentit prej 50 milionë USD në vitin 2024, ashtu si edhe në vitin 2023. Gjithashtu, kjo
na lejon të forcojmë më tej bazën tonë të kapitalit, që na nevojitet si banka më e madhe sistemike në
vend. Për këtë qëllim, ne emetuam obligacionin MREL prej 30 milionë Euro, i pari dhe më i madhi i
këtij lloji në Shqipëri. Edhe pse kjo na kushton uljen e levës dhe rritjen e kostos së kapitalit, ne jemi
krenarë që jemi banka lider me rëndësi sistemike në vend.
Mes shumë arritjeve të vitit, unë dëshiroj të theksoj rrugëtimin tonë drejt zhvillimit të mëtejshëm
të dixhitalizimit. Aplikacioni ynë bankar, BKT-Smart, është zgjidhja më gjithëpërfshirëse në treg,
siç dëshmohet nga rritja eksponenciale e përdoruesve të tij aktivë, si edhe është lideri dixhital i
Euromoney. Në mënyrë të ngjashme, filiali ynë me pronësi të plotë, BKT-Pay ka lançuar platformën
e tij të parasë elektronike: e-para, që shënon një moment historik në vend.
Ndërsa bota bëhet më dixhitale, për fat të keq, rreziku dhe dëmtimi i mundshëm nga sulmet kibernetike
po rritet gjithashtu, ndaj të cilave edhe Shqipërisë i është dashur të përballet gjatë vitit 2023. Falë
mbrojtjeve tona të forta, ne nuk jemi prekur, ndryshe nga disa prej konkurrentëve tanë. Ne mbetemi
vigjilentë edhe për rreziqe të tjera: Lufta kundër inflacionit mbetet ende për t’u fituar dhe sa më gjatë
normat bazë të interesit mbeten të larta, aq më të larta janë shanset për shpërthimin e një krizë
financiare, si ajo që u shmang për pak në Mars 2023. Rreziqet gjeopolitike dhe klimatike vazhdojnë të
jenë të pranishme për shkak të luftërave që vazhdojnë ende në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Ishte
shumë domethënëse që në një moment të vitit si Kanali i Suezit ashtu edhe ai i Panamasë u mbyllën,
i pari për shkak të sulmeve terroriste kundrejt anijeve dhe i dyti për shkak të niveleve të ulëta të ujit të
shkaktuar nga ngrohja globale. Përsëri, bilanci ynë është fortesa jonë dhe gatishmëria është gjithçka.
Ne rinovuam dhe restauruam plotësisht ndërtesën e degës sonë historike në Durrës, që daton
pothuajse prej një shekulli. Është padyshim një nga ndërtesat më të bukura në vend dhe ne jemi
krenarë që i rikthejmë shkëlqimin e saj origjinal. Ndërsa shkojmë drejt njëqindvjetorit tonë në 2025,
ne do të rinovojmë degët tona të tjera historike në Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
Filiali ynë në Kosovë, BKT-Kosovë, vazhdon të rritet me fitim. Tani ajo është banka e tretë më e madhe
për nga aktivet dhe gjithashtu një nga më fitimprurëset. Kjo e bën markën tonë vërtetë Shqiptare,
dhe neve krenarë.
Si gjithmonë, ne kemi objektiva sfiduese për vitin 2024, para së gjithash kthimin mbi kapitalin në USD
prej 19 për qind. Ne po ndryshojmë gjithashtu fluksin e punës së degëve, duke vendosur klientët në
qendër. Ne duam të rritemi në mënyrë më agresive në kredidhënie. Përsëri, stafi ynë i përkushtuar
dhe cilësor, i mbështetur nga Këshilli Drejtues dhe një bilanc i fortë, na japin një qetësi të brendshme
se edhe ky vit do të jetë një tjetër vit i suksesshëm.
Përshëndetje të përzemërta,
Seyhan Pencablıgil
Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues