Page 76 - BKT Annual Report 2023
P. 76
7 BANKA KOMBËTARE TREGTARE
Shënime mbi Pasqyrat Financiare të Konsoliduara për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2023
(shprehur në USD, nëse nuk është shënuar ndryshe)
2. BAZAT E PËRGATITJES
(a) (a) Deklarata e përputhshmërisë dhe parimi i vijimësisë
Pasqyrat financiare të konsoliduara janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (‘SNRF’).
Pasqyrat financiare janë përgatitur bazuar në supozimin se Banka do të vazhdojë veprimtarinë e saj në vijimësi.
(b) Baza e matjes
Pasqyrat financiare të konsoliduara janë përgatitur bazuar në kosto historike, përveç instrumenteve financiare të gatshme për shitje,
të cilët janë matur me vlerën e drejtë.
Për qëllime të raportimit financiar, përllogaritjet e vlerës së drejtë janë grupuar në Nivelet 1, 2 ose 3, bazuar në nivelin e verifikueshmërisë
të elementëve të llogaritjes së vlerës së drejtë dhe në rëndësinë e këtyre elementëve në llogaritjen e vlerës së drejtë në tërësi, siç
pershkruhet më poshtë:
• Niveli 1 - Informacionet e përdorura për përllogaritje në Nivelin 1 janë çmimet e tregut të listuara (të pa rregulluara), në një treg aktiv
për aktive ose detyrime të njëjta, në të cilat entiteti ka akses në datën e llogaritjes së vlerës së drejtë;
• Niveli 2 - Informacionet e përdorura për përllogaritje në Nivelin 2 janë të dhëna të ndryshme nga çmimet e listuara në treg të përfshira
në Nivelin 1, të cilat janë të verifikueshme për aktivin ose detyrimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte; dhe
• Niveli 3 - Informacionet e përdorura për përllogaritje në Nivelin 3 janë të dhëna jo të verifikueshme për aktivin ose detyrimin.
(c) Monedha funksionale dhe raportuese
Pasqyrat financiare të konsoliduara paraqiten në USD. Monedha funksionale e Bankës është Lek shqiptar (“Lek”).
Banka ka zgjedhur t’i prezantojë pasqyrat financiare në USD, meqënese kapitali i saj është i zotëruar plotësisht nga investitorë
ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar kapitalin fillestar në USD dhe e vëzhgojnë përformancën e investimit në USD.
(d) Përdorimi i vlerësimeve dhe gjykimeve
Përgatitja e pasqyrave financiare të konsoliduara kërkon që drejtimi të kryejë gjykime, vlerësime dhe supozime të cilat ndikojnë në
aplikimin e politikave dhe shumave të raportuara të aktiveve dhe detyrimeve, të ardhurave dhe shpenzimeve. Rezultatet aktuale mund
të jenë të ndryshme nga këto vlerësime.
Vlerësimet dhe supozimet bazë rishikohen në mënyrë të vazhdueshme. Rishikimet e vlerësimeve kontabël njihen në periudhën në të
cilën vlerësimet rishikohen si dhe në periudhat e ardhme nëse ato ndikohen.
Informacioni mbi elementët e rëndësishëm të pasigurive të vlerësimit dhe mbi gjykimet kritike në përdorimin e politikave kontabël me
efekt të rëndësishëm në vlerat kontabël në pasqyrat financiare të konsoliduara, jepet në shënimet 4 dhe 5.
3. PËRMBLEDHJE E POLITIKAVE TË RËNDËSISHME KONTABËL
Politikat kontabël të paraqitura më poshtë janë zbatuar në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha periudhat e prezantuara në këto pasqyra
financiare të konsoliduara dhe në mënyrë të njëjtë nga njësitë e Bankës.
(a) Baza e konsolidimit
(i) Shoqëritë e kontrolluara
Shoqëritë e kontrolluara janë njësi të kontrolluara nga Banka. Kontrolli ekziston kur Banka ka fuqi mbi një njësi ekonomike, është e
ekspozuar, ose ka të drejta mbi përfitimet e ndryshueshme nga përfshirja e saj tek njësia, dhe ka aftësinë për të përdorur fuqinë e saj
për të ndikuar në përfitimet e njësisë. Banka rivlerëson nëse ka apo jo kontroll mbi një filial, nëse faktet dhe rrethanat tregojnë se ka
ndryshime të një ose më shumë nga tre elemente të kontrollit të listuara më lart.
Konsolidimi i një shoqërie të kontrolluar fillon nga momenti kur Banka merr kontrollin mbi shoqërinë e kontrolluar dhe ndalon kur Banka
humb kontrollin e filialit. Të ardhurat dhe shpenzimet e një filiali, të blerë apo shitur gjatë vitit njihen në pasqyrën e konsoliduar të fitimit
ose humbjes dhe të ardhurave të tjera gjithëpërfshirëse nga data kur Banka mer kontrollin deri në datën kur Banka humbet kontrollin
mbi njësinë.
Pasqyrat financiare të konsoliduara janë përgatitur duke përdorur politika kontabël të njëjta për transaksione të njëjta dhe ngjarje të
tjera në rrethana të ngjashme.