Page 95 - BKT Annual Report 2023
P. 95

RAPORTI VJETOR 2023     26
                              Shënime mbi Pasqyrat Financiare të Konsoliduara për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2023
                                                                      (shprehur në USD, nëse nuk është shënuar ndryshe)




          5.ADMINISTRIMI I RREZIKUT FINANCIAR
          (a) Hyrje e përgjithshme
          Banka është e ekspozuar ndaj rreziqeve të mëposhtme nga përdorimi i instrumenteve financiare:
          •   rreziku i kredisë
          •   rreziku i likuiditetit
          •   rreziqet e tregut
          •   rreziku operacional
          Ky shënim paraqet informacion rreth ekspozimit të Bankës ndaj secilit prej rreziqeve të mësipërme, objektivat, politikat dhe proceset
          e Bankës për matjen dhe administrimin e rrezikut, dhe administrimin e kapitalit të Bankës.
          Një instrument financiar është çdo kontratë që jep mundësinë për të marrë mjete monetare ose aktive të tjera financiare nga një palë
          tjetër (aktiv financiar) ose detyrimin për të dhënë mjete monetare ose ndonjë aktiv tjetër financiar ndonjë pale tjetër (detyrim financiar).
          Intstrumentet financiare rezultojnë me rrezik për Bankën. Rreziqet kryesore me të cilët përballet Banka janë rreziku i kredisë, rreziku i
          likuiditetit dhe ai i tregut. Rreziku i tregut përfshin rrezikun e monedhës së huaj, rrezikun e normës së interesit dhe rreziqe të tjera çmimi.

          Struktura e administrimit të rrezikut
          Këshilli Drejtues ka përgjegjësinë e përgjithshme për themelimin dhe vëzhgimin e strukturës së administrimit të rrezikut në Bankë. Këshilli
          ka themeluar Komitetin e Administrimit të Aktiveve dhe Pasiveve (ALCO), Komitetin e Investimeve, dhe Komitetet e Rrezikut të Kredisë,
          të cilët janë përgjegjës për zhvillimin dhe monitorimin e politikave të administrimit të rrezikut në pjesët e tyre përkatëse. Të gjithë këta,
          i raportojnë në mënyrë të rregullt Këshillit Drejtues për aktivitetet e tyre.
          Politikat e menaxhimit të rrezikut janë vendosur me qëllimin për të identifikuar dhe analizuar rreziqet me të cilat përballet Banka, për
          të vendosur limitet dhe kontrollet e përshtatshme, dhe për të monitoruar rreziqet dhe zbatimin e limiteve. Politikat dhe sistemet e
          menaxhimit të rrezikut rishikohen rregullisht për të reflektuar ndryshimet në kushtet e tregut, produktet dhe shërbimet e ofruara. Banka,
          përmes trajnimeve dhe standardeve e procedurave të menaxhimit, synon të zhvillojë një ambient kontrolli konstruktiv dhe të disiplinuar
          në të cilin gjithë punonjësit i kuptojnë rolet dhe detyrimet e tyre.
          Komiteti i Auditimit të Bankës është përgjegjës për monitorimin e përputhshmërisë së politikave dhe procedurave për menaxhimin
          e rrezikut të Bankës, dhe për rishikimin e përshtatshmërisë së strukturës së administrimit të rrezikut në lidhje me rrezikun me të cilin
          përballet Banka. Komiteti i Auditimit të Bankës ndihmohet në këtë funksion edhe nga Auditimi i Brendshëm. Auditimi i Brendshëm
          bën rishikime si të rregullta ashtu edhe rishikime ad-hoc të kontrolleve për administrimin e rrezikut dhe procedurave, rezultate të cilat
          raportohen në Komitetin e Auditimit.

          (b) Rreziku i kredisë
          Rreziku i kredisë është rreziku i humbjes financiare të Bankës nëse një klient apo pala tjetër e një instrumenti financiar dështon në
          përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, dhe rrjedh kryesisht nga huatë dhe paradhëniet ndaj klientëve dhe bankave të tjera dhe nga
          investimet. Për qëllime të raportimit të administrimit të rrezikut, Banka konsideron të gjithë elementët e ekspozimit të rrezikut te kredisë (si
          rreziku i mospagimit të kredisë, rreziku i sektorit dhe vendit). Banka ka krijuar një Komitet Kredie për të mbikqyrur aprovimin e kërkesave
          të kredive. Kërkesat e kredive me shuma më të mëdha se 2,500,000 EUR aprovohen vetëm me vendimin e Këshillit Drejtues të Bankës.
          Çdo njësi kërkohet të jetë në përputhje me politikat dhe procedurat e kredisë së Bankës. Auditime të rregullta të njësive të biznesit dhe
          Departamentit të Administrimit të Rrezikut të Kredisë ndërmerren nga Auditimi i brendshëm.


          i. Ekspozimi maksimal ndaj rrezikut të kredisë
          Vlera kontabël bruto e aktiveve financiare më poshtë paraqet gjithashtu ekspozimin maksimal të Grupit ndaj rrezikut të kredisë për këto
          aktive. Ekspozimet maksimale ndaj rrezikut të kredisë para kolateralit dhe përmirësime të tjera të kredisë më 31 dhjetor 2023 dhe 31
          dhjetor 2022 janë si më poshtë:
   90   91   92   93   94   95   96   97   98   99   100