Page 70 - Raport Vjetor 2022
P. 70
Banka Kombëtare Tregtare Raport Vjetor 2022 8
Banka Kombëtare Tregtare Sh.a.
Shënime mbi Pasqyrat Financiare të Konsoliduara për vitin e mbyllur
më 31 dhjetor 2022 (shprehur në USD, nëse nuk është shënuar ndryshe)
3. Përmbledhje e politikave të rëndësishme kontabël (vazhdim)
(a) Baza e konsolidimit (vazhdim)
(i) Shoqëritë e kontrolluara (vazhdim)
Konsolidimi i një shoqërie të kontrolluar fillon nga momenti kur Banka merr kontrollin mbi shoqërinë e kontrolluar dhe ndalon
kur Banka humb kontrollin e filialit. Të ardhurat dhe shpenzimet e një filiali, të blerë apo shitur gjatë vitit njihen në pasqyrën e
konsoliduar të fitimit ose humbjes dhe të ardhurave të tjera gjithëpërfshirëse nga data kur Banka mer kontrollin deri në datën kur
Banka humbet kontrollin mbi njësinë.
Pasqyrat financiare të konsoliduara janë përgatitur duke përdorur politika kontabël të njëjta për transaksione të njëjta dhe ngjarje
të tjera në rrethana të ngjashme.
BKT hapi degën e saj të parë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më 3 shtator 2007. Zyra Administrative e kësaj dege
u hap në Prishtinë, Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës aprovoi më 30 prill 2018 transformimin në filial të Degës së Kosovës të
Bankës Kombëtare Tregtare. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga Dega e BKT – së në Kosovë do të mbeten të drejta
dhe detyrime të BKT Kosova Sh.A si një filial. Data e shkëputjes së BKT Kosovës është efektive nga data 1 janar 2019. Monedha
funksionale është Euro. Efekti i konvertimit të veprimeve në monedhë të huaj në monedhën funksionale të Bankës shpjegohet në
shënimin 3.(b).(ii) më poshtë.
Gjatë vitit 2022, BKT themeloi kompaninë e parasë elektronike “BKT Pay” duke investuar 1,000,000 EUR në kapitalin e saj
aksionar me normë pjesëmarrje 100%. BKT Pay është regjistruar ligjërisht në 26 shtator 2022. BKT Pay ka aplikuar për marrjen
e licencës nga Banka e Shqipërisë dhe pritet të nisë aktivitetin brenda vitit 2023.
(ii) Veprimet e eliminuara gjatë konsolidimit
Gjendjet e aktiveve dhe detyrimeve brenda grupit, dhe të ardhurat dhe shpenzimet që vijnë nga veprimet brenda grupit (me
përjashtim të fitimeve ose humbjeve nga veprimet në monedhë të huaj), janë eliminuar gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare
të konsoliduara. Humbjet e parealizuara janë eliminuar në të njëjtën mënyrë si fitimet e parealizuara, por deri në masën që nuk
ka evidencë për rënie të vlerës.
(iii) Kombinimet e Biznesit
Grupi zbaton metodën e blerjes në kombinimin e biznesit. Detyrimi i transferuar nga Grupi për të marrë kontrollin e një shoqërie
të kontrolluar llogaritet si shuma e vlerës së drejtë të aktiveve të transferuara, detyrimeve të kryera dhe interesave të kapitalit neto
të emetuara nga Grupi, ku përfshihet vlera e drejtë e çdo aktivi ose pasivi që rrjedh nga një marrëveshje kontigjente. Shpenzimet
e blerjes njihen mbi bazë konstatimi. Aktivet e blera dhe pasivet e marra në përgjithësi maten në vlerën e drejtë të blerjes.
(b) Monedha të huaja
(i) Veprimet në monedhë të huaja
Veprimet në monedhë të huaj janë kthyer në monedhën funksionale respektive me kursin e këmbimit të datës kur është kryer
veprimi. Aktivet dhe pasivet monetare, të shprehura në monedhë të huaj në datën e raportimit janë kthyer në monedhën
funksionale, me kursin e këmbimit të asaj date. Fitimi apo humbja nga kursi i këmbimit i instrumenteve monetare, është ndryshimi
midis kostos së amortizuar në monedhë funksionale në fillim të periudhës, e regulluar kjo për interesin efektiv dhe pagesat gjatë
periudhës, dhe kostos së amortizuar në monedhë të huaj të kthyer në monedhën funksionale, me kursin e këmbimit në datën e
raportimit. Aktivet dhe detyrimet jo monetare në monedhë të huaj, që maten me vlerë të drejtë, kthehen në monedhë funksionale
me kursin e këmbimit në datën kur është përcaktuar vlera e drejtë. Ndryshimet që rrjedhin nga ndryshimi i kursit të këmbimit të
valutave janë njohur në të ardhura ose shpenzime.
Aktivet dhe detyrimet jo-monetare në monedhë të huaj, të cilat shprehen me kosto historike, këmbehen me kursin e datës së
veprimit, me përjashtim të kapitalit aksionar të paguar, i cili është emetuar dhe mbahet në USD sipas legjislacionit në Shqipëri,
dhe në veçanti në përputhje me Ligjin nr. 8634, datë 6 korrik 2000, sipas marrëveshjes ndërmjet aksionerëve të Bankës dhe
Republikës së Shqipërisë mbi privatizimin e Bankës.
Për më tepër, Rregullorja e Operacioneve të Bankës kërkon që kapitali aksionar i paguar të mbrohet nga aktivet në USD, dhe
prandaj është i trajtuar si një zë monetar, me diferencën e rivlerësimit të kaluar në fitim/humbje së bashku me diferencën e
rivlerësimit të aktivit korrespondues në USD, të cilat kompensojnë njëra-tjetrën në një mënyrë të natyrshme.