Page 88 - Raport Vjetor 2022
P. 88
Banka Kombëtare Tregtare Raport Vjetor 2022 26
Banka Kombëtare Tregtare Sh.a.
Shënime mbi Pasqyrat Financiare të Konsoliduara për vitin e mbyllur
më 31 dhjetor 2022 (shprehur në USD, nëse nuk është shënuar ndryshe)
4. Përdorimi i vlerësimeve dhe gjykimeve (vazhdim)
Përcaktimi i vlerës së drejtë
Përcaktimi i vlerës së drejtë për aktivet dhe detyrimet financiare për të cilat nuk ka një çmim tregu të dukshëm kërkon përdorimin
e teknikave të vlerësimit siç përshkruhen në politikën kontabël 3(g)(viii). Për instrumentet financiare që tregtohen rrallë dhe që nuk
kanë transparencë në çmim, vlera e drejtë është më pak objektive dhe kërkon shkallë të ndryshme gjykimi bazuar në likuiditetin,
përqendrimin, pasigurinë e faktorëve të tregut, supozime rreth çmimit dhe rreziqe të tjera që ndikojnë mbi instrumentin specifik.
Referoju gjithashtu “Vlerësimi i instrumenteve financiarë” më poshtë.
Gjykime kritike kontabël në zbatimin e politikave kontabël të Bankës përfshijnë:
Vlerësimi i instrumenteve financiarë
Politika kontabël e Bankës për matjen e vlerës së drejtë është trajtuar në shënimin 3(g)(viii).
Banka e mat vlerën e drejtë duke përdorur hierarkinë e mëposhtme të metodave:
• Niveli 1: Çmime të kuotuara në një treg aktiv për një instrument identik.
• Niveli 2: Teknika vlerësimi bazuar në inpute të vëzhgueshme. Kjo kategori përfshin instrumente të vlerësuara duke përdorur
çmime të kuotuara në tregje aktive për instrumente të ngjashëm, çmime të kuotuara për instrumente të ngjashëm në tregje
që konsiderohen më pak se aktivë; ose teknika të tjera vlerësimi ku të gjithë inputet e rëndësishme janë të vëzhgueshëm në
mënyrë direkte ose jo-direkte nga të dhënat e tregut.
• Niveli 3: Teknika vlerësimi që përdorin inpute të rëndësishme të pavëzhgueshme. Kjo kategori përfshin të gjithë ato instrumente
ku teknika e vlerësimit përfshin inpute që nuk bazohen në të dhëna të vëzhgueshme dhe inputet e pavëzhgueshme mund
të kenë një efekt të rëndësishëm në vlerësimin e instrumentit. Kjo kategori përfshin instrumente që janë vlerësuar bazuar në
çmime të kuotuara për instrumente të ngjashëm ku kërkohen rregullime apo gjykime të rëndësishme e të pavëzhgueshme për
të reflektuar ndryshimin midis instrumenteve.
Vlera e drejtë për aktivet dhe detyrimet financiare që tregtohen në tregje aktivë bazohen në çmime tregu të kuotuara apo kuotime
te agjentëve. Për të gjitha instrumentet e tjerë financiarë Banka përcakton vlerën e drejtë duke përdorur teknika vlerësimi. Teknikat
e vlerësimit përfshijnë vlerën aktuale neto dhe modele të skontimit të flukseve monetare, krahasime me instrumente të ngjashëm
për të cilët ekzistojnë çmime të dukshme tregu dhe modele të tjera vlerësimi. Objektivi i teknikave të vlerësimit është të arrijnë në
përcaktimin e vlerës së drejtë që reflekton çmimin e instrumentit financiar në datën e raportimit, i cili do të ishte përcaktuar nga
pjesëmarrës në treg që veprojnë me kushtet e tregut.
Banka përdor modele vlerësimi të njohura gjerësisht për përcaktimin e vlerës së drejtë të instrumenteve financiarë më të thjeshtë
dhe më të zakonshëm, si norma interesi dhe këmbime monedhash që përdorin vetëm të dhëna tregu të vëzhgueshme dhe
kërkojnë pak gjykim apo vlerësim nga drejtuesit. Çmimet dhe inputet model të vëzhgueshme janë zakonisht të vlefshme në
treg për instrumente kapitale dhe huaje të listuara në bursa, derivativë të tregtueshëm me këmbim, dhe derivativë të thjeshtë të
tregtueshëm mbi banak si Swaps mbi normat e interesit. Disponueshmëria e çmimeve të vëzhgueshme të tregut dhe e inputeve
model redukton nevojën për gjykimin dhe vlerësimin e drejtuesve dhe redukton gjithashtu pasiguritë që shoqërojnë përcaktimin e
vlerës së drejtë. Disponueshmëria e çmimeve të vëzhgueshme të tregut dhe inputeve varion në varësi të produkteve dhe tregjeve
dhe është e prirur ndaj ndryshimeve bazuar në ngjarjet specifike dhe kushtet e përgjithshme në tregjet financiare.
Për instrumente financiare më komplekse, Banka përdor modele vlerësimi të veçanta, të cilat janë zakonisht të zhvilluara bazuar
ne modele të njohura vlerësimi. Disa ose të gjithë inputet e rëndësishme në këto modele mund të mos jenë të vëzhgueshme
në treg dhe janë rrjedhojë e çmimeve të tregut ose kurseve ose janë vlerësuar bazuar në gjykime. Modelet e vlerësimit që
përmbajnë inpute të rëndësishme të pavëzhgueshme kërkojnë një shkallë më të lartë gjykimi dhe vlerësimi nga drejtuesit në
përcaktimin e vlerës së drejtë. Gjykimi dhe vlerësimi i drejtuesve kërkohet zakonisht për zgjedhjen e modelit të vlerësimit për t’u
përdorur, përcaktimin e flukseve monetare të pritshme për instrumentin financiar që vlerësohet, përcaktimin e probabilitetit për
mospagesën apo parapagimet nga pala tjetër dhe përzgjedhjen e normave të përshtatshme për skontim.