AGJENCIA E SIGURIMIT TË DEPOZITAVE PËRZGJODHI BANKËN KOMBËTARE TREGTARE TË PARËN NË LISTËN PARAPRAKE TË BANKAVE AGJENTE PËR KRYERJEN E PROCESIT TË KOMPENSIMIT TË DEPOZITAVE.
Tiranë, Shqipëri (24 Janar, 2018) – Banka Kombëtare Tregtare (BKT), u rendit e para në listën paraprake, prej vetëm 3 bankash, të përzgjedhura nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) si banka agjente për kryerjen e procesit të kompensimit të depozitave.
ASD, në datën 24.07.2017, nisi procedurën e përzgjedhjes së bankave agjente në listën paraprake, duke ftuar të gjitha bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave për paraqitjen e shprehjeve të interesit. ASD përfundoi procesin e vlerësimit, i cili u finalizua me Vendimin e Këshillit Drejtues të Agjencisë nr. 23, datë 3.10.2017 “Mbi përzgjedhjen e bankave agjente në listën paraprake për kryerjen e procesit të kompensimit”, në përputhje me të gjitha kriteret, ku BKT u rendit e para në listën paraprake të 3 bankave të përzgjedhura.
Në vijim të këtij procesi, BKT dhe ASD kanë finalizuar me sukses të gjitha detajet dhe në datën 24 Janar 2018, Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Z. Seyhan Pencabligil dhe Drejtori i Përgjithshëm i ASD, Z. Genci Mamani, nënshkruan kontratën për ekzekutimin e procesit të kompensimit të depozitave.
Kjo iniciativë e re e ASD thekson edhe një herë se sistemi bankar po ndërton mekanizmat dhe infrastrukturën e nevojshme për konsolidimin e stabilitetit të sektorit financiar dhe ruajtjen e elasticitetit të sistemit bankar në rast të situatave të papritura.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave u krijua në vitin 2002 dhe kryen aktivitetin e saj në bazë të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar. ASD administron skemën e sigurimit të depozitave, e detyrueshme për të gjitha bankat e nivelit të dytë, e cila mbulon depozitat deri në shumën 2.500.000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.
BKT, e themeluar në 1925, është banka më e madhe dhe më e vjetër në Shqipëri. Me një total asetesh prej 3.6 miliard dollarë dhe 2.9 miliard dollarëdepozita, BKT u shërben klientëve të saj nëpërmjet rrjetit prej 93 degësh, 67 prej të cilave ndodhen në Shqipëri dhe 26 në Kosovë.
Për më shumë informacion, vizitoni: www.bkt.com.al