Në njoftimin për shtyp, revista Global Finance thekson se fituesit e këtij viti janë ato banka që demonstruan përkushtim dhe profesionalizëm në përmbushjen e nevojave të klientëve në një periudhë sfiduese për tregjet financiare, duke arritur rezultate të larta dhe duke ndërtuar baza të qëndrueshme për sukses në të ardhmen.
Joseph D. Giarraputo, themelues dhe drejtor editorial i Global Finance, në njoftimin për shtyp deklaroi:
“Bankat më të mira të këtij viti janë ato që kanë ofruar një gamë të gjerë shërbimesh financiare, kanë demonstruar stabilitet afatgjatë dhe kanë investuar në inovacionin teknologjik, duke përforcuar besueshmërinë e tyre në krijimin e marrëdhënieve financiare të qëndrueshme me klientët.”
Vlerësimi i bankave nga 22 vende, territore dhe rajone të Evropës Qendrore dhe Lindore është kryer nga redaktorët e Global Finance, pas një procesi të detajuar konsultimesh me drejtues financiarë të korporatave, bankierë, konsulentë bankarë dhe analistë të industrisë në mbarë botën.
Në procesin e përzgjedhjes janë marrë në konsideratë si faktorë sasiorë objektivë ashtu edhe ata subjektivë. Ndër kriteret objektive përfshiheshin: rritja e aseteve, përfitueshmëria, shtrirja gjeografike, marrëdhëniet strategjike, zhvillimi i produkteve dhe inovacioni në shërbimet bankare. Ndërsa në kriteret subjektive përfshiheshin opinionet e analistëve të tregut të kapitalit, analistëve të vlerësimit të kredisë, konsulentëve dhe ekspertëve të tjerë të sektorit bankar.
Duke iu referuar këtij vlerësimi, Joseph D. Giarraputo shtoi:
“Sektori bankar po përballet me sfida të reja dhe po shfrytëzon mundësi të shumta në një mjedis në ndryshim të shpejtë. Roli i Inteligjencës Artificiale po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, duke e transformuar industrinë financiare me një ritëm të jashtëzakonshëm. Bankat që kemi vlerësuar këtë vit kanë ditur të përshtaten dhe të ecin përpara duke menaxhuar me sukses rreziqet dhe duke i paraprirë zhvillimeve të tregut.”
Fituesit e këtij viti do të nderohen në një Ceremoni të Veçantë Çmimesh, e cila do të mbahet në kuadër të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, mëngjesin e 18 tetorit 2025, në National Press Club, Washington DC.