BKT RIZGJIDHET SI BANKA E VITIT 2011 NGA REVISTA BRITANIKE EMEA FINANCE
Londër, Mbretëri e Bashkuar (17 maj, 2012) – Banka Kombëtare Tregtare, e cila është zgjedhur për të dytin vit rradhazi si “Banka Lokale Më e Mirë e Vitit në Shqipëri për vitin 2011” e mori këtë çmim gjatë Darkës për Bamirësi të zhvilluar më 17 maj 2012. Ceremonia u organizua nga Exporta EMEA Finance Ltd., në Law Society’s Hall, Londër.
Botuesi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Exporta EMEA Finance Ltd., Z. Christopher Moore u shpreh se kishin mbetur shumë të impresionuar nga rritja mbresëlënëse, performanca e lartë dhe inovacionet e BKT-së. Në ceremoni morën pjesë Z. Mehmet Usta, Kryetar i Bordit Drejtues dhe Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të BKT-së. Gjatë ceremonies Z. Pencabligil tha se marrja e çmimeve të këtilla prestigjioze dhe pjesëmarrja në ceremoni të tilla të rëndësishme tashmë ishte kthyer në rutinë, pasi ky ishte vetëm një nga çmimet e shumta që Banka ka marrë.
EMEA Finance është një nga revistat financiare më të rëndësishme në botë, që ndjek zhvillimet në tregjet financiare të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës. EMEA Finance shpërndan çdo vit çmimet për bankat dhe institucionet financiare më të mira në këto tregje.
BKT, e cila së fundi festoi 86 vjetorin e saj, është banka e dytë më e madhe dhe njëkohësisht banka më e vjetër tregtare në Shqipëri me 2.1 miliard dollarë asete dhe 1.7 miliard dollarë depozita. BKT zotëron një rrjet prej 82 degësh, 59 prej të cilave ndodhen në Shqipëri dhe 23 në Kosovë, duke e renditur BKT-në si banka më e madhe shqiptare në rajon. BKT është vlerësuar së fundmi si ”Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2011” nga revista prestigjioze britanike “The Banker” dy herë rresht dhe tre herë gjithsej.