Lajmërime

BKT DREJTOI TRYEZËN E DISKUTIMIT “SHQIPËRIA 2030 NË BE” NË FORUMIN PËR EVROPËN QENDRORE DHE LINDORE ORGANIZUAR NGA INVISSO

Konferenca e Invisso, Forumi për Evropën Qendrore dhe Lindore u rikthye këtë 14 dhe 15 janar në Vjenë në përvjetorin e 30-të të organizimit, duke bashkuar investitorë të niveleve më të larta, lider të korporatave, financierë, rregullatorë e politik-bërës.

Banka Kombëtare Tregtare, sponsorizoi dhe organizoi për herë të pestë, një tryezë diskutimi dedikuar Shqipërisë, e cila u drejtua nga Z. Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT. Në panel morën pjesë Z. Adrian Kamenica, Drejtor i Departamentit të Politikave dhe Integrimit Evropian, Znj. Elira Kokona, Drejtoreshë Ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe Z. Ridgers Mema, Drejtor i Zhvillimit të Biznesit, Kastrati Group.

Z. Pencablıgil, gjatë fjalës së tij hapëse prezantoi temën e diskutimit “Shqipëria 2030 në BE”, në vijim të vendimit të BE-së për hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky moment historik vjen pas një vlerësimi fillestar pozitiv të përparimit të Shqipërisë në fusha kyçe si reformat ligjore, institucionale dhe ato ekonomike.

Z. Kamenica theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të përfunduar negociatat për anëtarësim në BE deri në vitin 2027, një qëllim që mbështetet nga 95% e shqiptarëve, të cilët ruajnë një qëndrim jashtëzakonisht pozitiv ndaj BE-së—një sentiment i veçantë në rajon. Ai theksoi se kjo ambicie tregon angazhimin e Shqipërisë për të arritur standardet e BE-së dhe për të siguruar rritjen afatgjatë ekonomike të vendit. Integrimi i përshpejtuar, është një mekanizëm kyç në arritjen e këtij objektivi siç tregohet edhe nga iniciativat si SEPA apo Plani i Rritjes. Plani i Rritjes, theksoi ai, nuk është thjesht një mekanizëm mbështetjeje financiare, por është një nismë politike strategjike nga shtetet anëtare të BE-së për të promovuar konvergjencën e Ballkanit Perëndimor dhe për të riafirmuar interesin e përbashkët për të ardhmen e rajonit. Pavarësisht mundësisë së ndryshimeve në klimën politike, procesi i integrimit evropian mbetet një prioritet unifikues dhe thelbësor, në përputhje me interesat e përbashkëta të të gjitha palëve të përfshira.

Znj. Kokona në fjalën e saj prezantoi arritjet dhe prioritetet kryesore të AIC. Ajo vuri theksin tek investimet strategjike në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të pronës publike dhe krijimin e hapësirave që mbështesin rritjen urbane dhe ekonomike. Për më tepër, Znj. Kokona shpalosi nismat për të nxitur inovacionin dhe për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri, duke e vendosur AIC si një katalizator kyç për zhvillimin ekonomik. Gjatë fjalës së saj, ajo bëri një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj investitorëve për mundësitë e hapura në projektet ambicioze të AIC, përfshirë Stadiumin “Selman Stermasi”, Lift dhe Void Tower, Bibliotekën Kombëtare dhe Hospitality Albania. Duke i cilësuar këto iniciativa si mundësi unike për investitorët vendas dhe të huaj, Znj. Kokona nënvizoi potencialin e këtyre projekteve për të transformuar peizazhin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë.

Z. Mema ndau me panelin historinë e suksesit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), e drejtuar nga një vizion i përbashkët për zhvillim, i aksionerit, investitorëve përfshirë këtu edhe BKT, dhe qeverisë. “Që kur grupi Kastrati mori drejtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), transformimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Pavarësisht se drejtimi i aeroportit u mor gjatë pandemisë, kur industria e aviacionit ishte në kaos, besimi i grupit në potencialin e Shqipërisë dhe TIA-n na mbajti të motivuar. Brenda tre viteve, duke konsideruar që dy vite ishin të ndikuara nga pandemia, TIA pa një rritje të dukshme të trafikut të pasagjerëve, duke kaluar nga 3.3 milionë pasagjerë në vitin 2019 në 10.7 milionë në vitin 2024, dhe parashikimet tregojnë mbi 12.5 milionë për vitin 2025. TIA është e angazhuar aktivisht në reduktimin e gjurmës së saj të karbonit dhe ka bërë përparime të rëndësishme në menaxhimin dhe uljen e emetimeve të gazit. Investimet në infrastrukturë, prishja e monopoleve dhe tërheqja e rrjeteve të kompanive ajrore low-cost si Wizz Air dhe Ryanair ishin kyçe për këtë sukses. TIA tani ofron fluturimin drejt 109 destinacioneve, përfshirë 22 qendra ndërlidhëse evropiane, nga të cilat mund të lidhesh me gjithë botën, duke kontribuar kështu ndjeshëm në rritjen e turizmit dhe ekonomisë. TIA po zgjerohet më tej, me planet për një zgjerim të madh të terminalit dhe mundësimin e fluturimeve direkte për në SHBA në vitin 2026. Ky zhvillim konsolidon pozicionin e TIA si aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe si një burim krenarie kombëtare.”, përfundoi ai fjalën e tij.

Lajmet e tjera

BKT CEE 2025 - Panel diskutimi drejtuar nga Z. Seyhan Pencabligil
BKT DREJTOI TRYEZËN E DISKUTIMIT ‘’SHQIPËRIA 2030 NË BE’’ NË FORUMIN PËR EVROPËN QENDRORE DHE LINDORE ORGANIZUAR NGA INVISSO
JCR Eurasia Rating ka vlerësuar strukturën e konsoliduar të Banka Kombëtare Tregtare Sh.A
Banka Kombëtare Tregtare vlerësohet nga Global Finance si ‘’Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2024’’
Global Finance shpalli çmimet e saj për të 31-in vit radhazi për bankat më të mira në Evropën Qendrore dhe Lindore për vitin 2024.