Lajmërime

BKT DREJTOI TRYEZËN E RRUMBULLAKËT TË SHQIPËRISË NË FORUMIN PËR EUROPËN QENDRORE DHE LINDORE ORGANIZUAR NGA EUROMONEY

Vjenë, Austri (19 Janar, 2017) – Më 17 dhe 18 Janar 2017, Konferenca Euromoney, me rastin e organizimit të Forumit të 22-të për Europën Qendrore dhe Lindore, u ndoq nga më shumë se 1,000 politik-bërës, lider të korporatave, financierë dhe investitorë. Shpesh e vlerësuar si një nga eventet më të mira të “networking” për këdo me interes në Europën Qendrore dhe Lindore, Forumi ishte një mundësi e shkëlqyer për investitorët dhe politik-bërësit, nga brenda dhe jashtë rajonit, për të mbledhur dhe ndarë mendime, si edhe për të diskutuar mbi perspektivën ekonomike të Europës Qendrore dhe Lindore për vitet në vazhdim.

Banka Kombëtare Tregtare, sponsorizoi dhe organizoi për të dytën herë radhazi tryezën e rrumbullakët të Shqipërisë me temën “Shqipëria, drejt pozicionimit, si rritja më e shpejtë e ekonomisë në Balkan për 2017”, me pjesëmarrje të Ministri i Financave, Z. Arben Ahmetaj, Zëvendës Guvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, Znj. Elisabeta Gjoni, Presidenti i Bankës së Tregtisë & Zhvillimit të Detit të Zi, Z. Ihsan Ugur Delikanli dhe Drejtori i Përgjithshëm & Anëtar i Bordit të BKT, Z. Seyhan Pencabligil.

Gjatë takimit, Z. Pencabligil, prezantoi shkurtimisht disa nga treguesit ekonomik dhe financiarë të Shqipërisë, duke treguar optimizëm mbi përmirësimet dhe zhvillimet e fundit pozitive në vend. Ai u shpreh pozitivisht mbi sistemin bankar në Shqipëri, me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16%, dhe nënvizoi iniciativën e fundit të Qeverisë, Partneriteti Publik Privat (PPP), e promovuar nga vetë Kryeministri, Z. Rama, i cili është shprehur së fundmi, për një vazhdimësi të projekteve PPP, në një vlerë rreth 1 miliard euro gjatë 3 viteve të ardhshme, të cilën sistemi bankar shqiptar është i gatshëm ta mbështesë dhe financojë.

Ministri i Financave, Z. Ahmetaj, konfirmoi ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, me një parashikim rritjeje prej 3.7-3.8% të PBB për vitin 2017, dhe duke theksuar me bindje të plotë se nëpërmjet investimeve PPP, kryesisht në sektorët e infrastrukturës, edukimit dhe shëndetësisë, Shqipëria do të ketë mundësi të realizojë rritje deri në 6% të PBB. Ai vazhdoi më tej, duke përmendur disa nga reformat më të rëndësishme që Qeveria aktuale ka ndërmarë në sektorë të ndryshëm, si energjia, ndarja administrative, administrimi publik, klima e biznesit dhe drejtësia. Ai ftoi investitorët, duke nënvizuar se investimet e huaja direkte në Shqipëri janë aktualisht 9.2% e PBB, një rekord krahasuar me vendet e tjera të rajonit, si dhe duke theksuar progreset e bëra nga Shqipëria në renditjet ndërkombëtare të disa treguesve, si klima e biznesit dhe taksat.

Zëvendës Guvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, Znj. Gjoni, u fokusua në evidentimin e treguesve kryesorë së ecurisë në Shqipëri, analizimin e faktorëve të rritjes si edhe në parashikimin e perspektivës së ekonomisë Shqiptare në vitet e ardhshme. Ajo nënvizoi se Shqipëria ka qenë një nga shtetet me performancë më të mirë në rajon, para dhe pas krizës, duke evidentuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar pozitivisht. Ajo shtoi se perspektiva për Shqipërinë është e qëndrueshme, duke qenë në një trajektore pozitive dhe në një rrugë të qartë drejt konvergjencës në BE. Ajo përfundoi fjalimin e saj, duke nënvizuar se reformat dhe politikat e ndërmara nga Qeveria do të bëjnë të mundur pozicionimin e Shqipërisë si vendi me rritjen më të shpejtë të ekonomisë në rajon.

Z. Delikanli, shtoi se Shqipëria është një nga vendet e rajonit të Detit të zi, e cila ka treguar një ecuri pozitive pavarësisht ndikimeve nga situatat ekonomike të vendeve fqinjë gjatë viteve të krizës. Ai nënvizoi, bashkëpunimin e ngushtë midis Shqipërisë dhe Bankës së Tregtisë & Zhvillimit të Detit të Zi, duke theksuar se ka akoma vend për përmirësime dhe se në 2015-2018, Banka ka planifikuar të investojë afërsisht më shumë se 100 milion euro. Ai vazhdoi duke treguar gadishmërinë e Bankës për tu përfshirë në financimin e projekteve PPP, bazuar edhe në eksperienca të mëparshme në vende si Turqia dhe Greqia.

Tryeza e rrumbullakët pati sukses, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve, të cilët drejtuan pyetje drejt panelit. Për më tepër, invenstitorët dhe institucionet financiare nga Shqipëria, të cilët morën pjesë në konferencë, patën mundësi të mëdha për t'u takuar me përfaqësues të lartë nga vende të ndryshme, duke shkëmbyer pikëpamjet rreth situatës aktuale financiare në tregjet përkatëse, si dhe për të ndërtuar marrëdhënie biznesi.
 

Lajmet e tjera

Banka Kombëtare Tregtare vlerësohet nga Global Finance si ‘’Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2024’’
Global Finance shpalli çmimet e saj për të 31-in vit radhazi për bankat më të mira në Evropën Qendrore dhe Lindore për vitin 2024.
Emea Finance vlerëson Bankën Kombëtare Tregtare për të trembëdhjetën herë me 4 çmime të rëndësishme
Banka Kombëtare Tregtare është vlerësuar si "Banka më e Mirë në Shqipëri" dhe "Banka më Novatore".
BKT feston rihapjen e degës historike në Durrës
Sot më datë 23 nëntor në qytetin e Durrësit u festua rihapja e degës historike të BKT në këtë qytet.