BKT ORGANIZON SEMINARIN MBI PRAKTIKAT E TREGTISË SË JASHTME
Tiranë, Shqipëri (21 Prill, 2011) – Banka Kombëtare Tregtare, në përputhje të plotë me synimin për të qenë sa më afër klientëve të saj të korporatave, organizoi sot Seminarin mbi Praktikat e Tregtisë së Jashtme. Në këtë seminar të organizuar me mbështetjen e Aktif Bank, një nga bankat më të rëndësishme të investimeve në Turqi, morën pjesë shumë përfaqësues të kompanive më të mëdha tregtare dhe prodhuese në Shqipëri, të cilat janë lidere në sektorët në të cilët operojnë.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm të rrisim prezencën e BKT-së në biznesin tregtar, por të shtojmë gjithashtu përdorimin e instrumenteve të tregtisë së jashtme nga biznesi shqiptar”, u shpreh z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të BKT-së. “Shqipëria është vendi i fundit në rajon për sa i përket praktikave të tregtisë së jashtme , dhe dicka e tillë është e papranueshme”, shtoi ai. Z. Pencapligil, i cili është gjithashtu Kryetar i Shoqatës së Bankave në Shqipëri tha se po përpiqen që Shqipëria të jetë anëtare e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtise, ICC.
Ky seminar është i pari i llojit të vet që është organizuar në Shqipëri. Objekti kryesor i tij ishte njohja me përfitimet dhe avantazhet kryesore në përdorimin e instrumentëve financiarë, sidomos Letrave të Kreditit. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë e shkëmbimit të ideve dhe experiencave të tyre për promovimin e një klime bashkëpunimi sa më të favorshme.
Banka Kombëtare Tregtare, e vlerësuar si Banka e Vitit 2010 për Shqipërinë nga revista prestigjioze britanike The Banker, është banka e dytë më e madhe në vend dhe njëkohësisht banka e vetme në Shqipëri që është vlerësuar me notën AAA (Alb) nga institucioni i mirënjohur JCR Eurasia Rating për të tretin vit rradhazi. BKT aktualish ka 75 degë, prej të cilave 17 janë në Kosovë.