BKT RIZGJIDHET SI BANKA E VITIT 2011
Tiranë, Shqipëri (11 prill, 2012) – Banka Kombëtare Tregtare është zgjedhur për të dytin vit rradhazi si “Banka Më e Mirë e Vitit në Shqipëri” nga revista prestigjioze britanike EMEA Finance, për rritjen mbresëlënëse, performancën e lartë dhe inovacionin gjatë vitit 2011. Çmimi, i cili sapo është publikuar, do të dorëzohet në një ceremoni që do të mbahet në Londër më 17 maj 2012.
EMEA Finance është një nga revistat financiare më të rëndësishme në botë, që ndjek zhvillimet në tregjet financiare të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës. EMEA Finance shpërndan çdo vit çmimet për bankat dhe institucionet financiare më të mira në këto tregje.
Një tjetër vlerësim inkurajues vjen këtë herë nga JCR Eurasia Rating, e cila rikonfirmon notën ‘AAA (Alb)’ dhe situatën si “të qëndrueshme” në terma afatgjatë në nivel kombëtar, që tregon nivelin më të lartë të investimit. Ky vlerësim i jepet BKT-së për të katërtën herë rradhazi. Për më tepër, JCR-ER rrit Notën Afatgjatë Ndërkombëtare në Monedhë Lokale të BKT-së në “BB+”, paralelisht me rritjen e notës së vendit.
2011 ka qenë një vit plot me vlerësime dhe çmime. WELLS FARGO, një nga bankat më të mëdha amerikane, i akordoi BKT-së çmimin “2011 Straight-Through-Processing (STP) Award” për Cilësinë në Transferimin e Pagesave. Ky çmim konfirmon saktësinë dhe efiçencën e lartë të pagesave të kryer nëpërmjet BKT-së, gjë që ka sjellë edhe një rritje të kënaqësisë së klientëve.
BKT, e cila së fundi festoi 86 vjetorin e saj, është banka e dytë më e madhe dhe njëkohësisht banka më e vjetër tregtare në Shqipëri me 1.9 miliard dollarë asete dhe 1.6 miliard dollarë depozita. BKT zotëron një rrjet prej 82 degësh, 59 prej të cilave ndodhen në Shqipëri dhe 23 në Kosovë, duke e renditur BKT-në si banka më e madhe shqiptare në rajon. BKT është vlerësuar së fundmi si ”Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2011” nga revista prestigjoze britanike “The Banker”.