Dhënë për revistën Monitor, 24 Prill 2023
Si do ta vlerësonit ecurinë e Bankës Kombëtare Tregtare gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?
Viti 2022 ka qenë një vit rekordesh për BKT, kemi arritur nivelin më të lartë historik të fitimit që korrespondon me pothuajse gjysmën e mesatares së sistemit sipas standardeve IFRS, ndërkohë që kemi mbajtur nivele të ulëta të kredive me probleme. Totali i aktiveve është rritur me 8.4% duke arritur në 4.6 miliardë USD (në terma real duke përllogaritur edhe përshtatjen me kursin e këmbimit). Kapitali i Bankës ka arritur shifrën e 474 milionë USD që është afërsisht 28% e tregut bankar shqiptar.
BKT ka ndjekur dhe implementuar strategjinë e saj të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë e cila bazohet në 3 shtylla kryesore; forcimi i mëtejshëm i bazës së fortë të depozitave si një ‘’simbol i besimit të vendit’’, fokusi në kredidhënie si për klientët individë ashtu edhe për ata të biznesit, vigjilenca në mbështetje të korporatave me financim së bashku me menaxhim efikas të aktiveve dhe pasiveve për të mitiguar risqet apo të papriturat dhe për të maksimizuar fitimin.
Në linjë me strategjinë e sipërpërmendur, banka e mbylli vitin me një rritje reale prej 12.9% të portofolit të depozitave dhe një rritje në terma nominalë të portofolit të kredisë për individin me 21%.
Aktivet e menaxhuara me zgjuarsi dhe portofol të larmishëm të ndërthurura më mekanizmin e duhur mbrojtës dhe strukturën e fortë të kapitalit kanë sjellë fitime rekord jo vetëm për bankën por edhe për vendin. Bazuar në sa përmendur më sipër ne mund ta diferencojmë bankën tonë në mënyrë pozitive nga sektori për sa i përket përfitueshmërisë dhe performancës së kredive.
BKT ka vijuar të mbajë rolin e saj si një institucion financiar pioner dhe lider në bankingun dixhital dhe biznesin e kartave, për të ndihmuar transformimin në tregun bankar shqiptar. Ne kemi rinovuar totalisht aplikacionin tonë bankar BKT Smart dhe kemi zgjeruar rrjetin tonë të Smart BanKomaT-ve me pajisje me ekrane me prekje dhe mundësi depozitimi parash. Në linjë me strategjinë tonë të rritjes së përdorimit të mjeteve dhe kanaleve dixhitale mund të themi se përdorimi i BKT Smart, Smart BanKomaT, POS-eve dhe kartave ka pësuar një rritje të madhe.
Vitin e kaluar, ekonomia u përball me inflacionin më të lartë në dy dekada dhe me një rritje të shpejtë të normave të interesit. Si u reflektuan këto zhvillime në ecurinë e sektorit bankar?
Inflacioni është një faktor i rëndësishëm që ul fuqinë blerëse të familjeve dhe ka një efekt negativ në strukturën e kostove të kompanive duke ulur marzhet e fitimit të tyre. Në linjë me FED (Banka Qëndrore e Amerikës) dhe ECB (Banka Qëndrore e Europës), Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën e interesit për të mbajtur nën kontroll inflacionin, për të ulur konsumin dhe nxitur kursimet. Kjo masë e ndërmarrë po ndikon gjithashtu normat e interesit të kredive dhe rrjedhimisht shumën e financimit dhe këstet e ripagimit. Përgjatë vitit 2022, inflacioni dhe rritja e normave të kredisë nuk u reflektuan negativisht te niveli i kredive me probleme, por sistemi duhet të jetë vigjilent sepse mund të kemi përkeqësim të këtij portofoli në vijim për shkak të vështirësive në aftësinë paguese si të individëve ashtu edhe bizneseve.
Cilat do të jenë objektivat tuaja kryesore për vitin 2023 dhe cilat prisni të jenë sfidat kryesore për biznesin e bankave këtë vit?
Objektivat tona janë gjithmonë të jemi një bankë e qëndrueshme me performancë të fortë në të gjithë indikatorët financiarë, një bankë që mbështet me produkte dhe shërbime cilësore klientët tanë por edhe që kontribuon në rritjen ekonomike të vendit.
Ne do të vijojmë rritjen e aktiveve, do të fokusojmë vëmendjen tonë në rritjen e financimit përkundrejt klientëve tanë individë dhe biznes, do të rrisim edhe më tej depozitat dhe biznesin e pagesave duke u kujdesur në të njëjtën kohë të mbajmë edhe strategjinë tonë të diversifikimit të riskut.
Dixhitalizimi mbetet një nga prioritetet tona me anë të së cilit ne synojmë ti thjeshtësojmë eksperiencën bankare klientëve tanë. Ne jemi të angazhuar të japim kontributin tonë jo vetëm duke hedhur në treg produkte të teknologjisë së fundit por edhe duke i ndihmuar klientët tanë të njihen dhe përshtaten me kanalet dixhitale dhe për më tepër duke i shpërblyer ata për përdorimin e kanaleve dixhitale nëpërmjet çmimeve preferenciale dhe skemave të shpërblimit.
Rritja e normave të interesit mund të ulë kërkesën e kredisë dhe mendoj që kjo do të jetë një nga sfidat për sektorin bankar për vitin 2023 së bashku me rritjen e kredive me probleme. Përsa i përket kredive me probleme mendoj që segmenti që ka tendencë më të lartë për rritje është ai i bizneseve kështu që të gjithë ne do të duhet të jemi më të kujdesshëm jo vetëm në analizat financiare të kredive të reja por gjithashtu edhe në mbështetjen e klientëve tanë ekzistues në raste vështirësie.