Lajmërime

Intervistë me Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT
Dhënë për revistën Monitor, 16 Prill 2025
 
Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Bankës Kombëtare Tregtare gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?
 
BKT ka arritur me sukses pothuajse të gjitha objektivat e saj, me më të rëndësishmin që ishte objektivi i fitimit, i mbështetur nga një nivel i ulët i kredive me probleme, menaxhim i qëndrueshëm i aktiveve dhe detyrimeve, një rritje e fortë në volumet e punës së bërë në  segmentin klientëve individ dhe një rritje e konsiderueshme e përdorimit të kanaleve dixhitale.

Gjithashtu, BKT përfundoi me sukses emetimin e dytë radhazi të obligacioneve MREL, duke arritur objektivin e emetimit të MREL në masën 100% për të përmbushur rregulloret që imponojnë kërkesa shtesë për kapital ndaj bankave me rëndësi sistemike, duke kërkuar prej tyre të mbajnë rezerva kapitali të dyfishuara.

Sektori bankar në tërësi pati një vit shumë të suksesshëm, i karakterizuar nga nivele të ulëta të kredive me probleme dhe fitime të forta në përputhje me rritjen e qëndrueshme. Zgjerimi agresiv i kreditimit pati gjithashtu një ndikim pozitiv në raportet e kredive me probleme. Megjithatë, kjo rritje e shpejtë paraqiti sfida për disa banka në përmbushjen e kërkesave në rritje për kapital.
 
Gjatë vitit 2024, u regjistrua një rritje e shpejtë e kreditimit, veçanërisht për financimin e pasurive të paluajtshme dhe në segmentin e biznesit të madh, ndërsa Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë shtesën kundërciklike të kapitalit.

Besoni se ka vend për shqetësim lidhur me rritjen e ekspozimit të sektorit bankar në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe me shtimin e ekspozimeve të mëdha në segmentin e korporatave?

Shqetësimet lidhur me rritjen e shpejtë mund të jenë të vlefshme, por kërkesat për kapital duhet të rregullohen në bazë të niveleve të rrezikut të bankave individuale në vend që të aplikohen në mënyrë uniforme në të gjithë sektorin. Duhet të vlerësohet me kujdes raporti i huave të mëdha apo huave  hipotekore ndaj totalit të aktiveve, si dhe përqindja e tyre në krahasim me kapitalin. Sektori bankar tashmë është i mirë kapitalizuar, me disa kërkesa shtesë kapitali, veçanërisht për bankat me rëndësi sistemike.

Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2025?

Pritet që bankat të ndjekin një strategji agresive kreditimi, e cila mund të nxisë luftën e çmimeve. Në të njëjtën kohë, pritet një ulje e normave të interesit, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi marzhet e fitimit. Si rezultat, të ardhurat nga tarifat dhe komisionet do të bëhen burime gjithnjë e më të rëndësishme për sektorin bankar. Gjithashtu, menaxhimi i kostove do të rikthehet në një çështje prioritare.

Shqipëria ka potencial të madh rritjeje në sektorë si turizmi, ndërtimi, energjia dhe bujqësia. Për të mbështetur këtë rritje, bankat do të shfrytëzojnë kapacitetin e tyre të financimit, gjë që do të krijojë sfida shtesë.

Bankat e mëdha tashmë janë të detyruara të mbajnë dyfishin e kapitalit, ndërsa bankat më të vogla mund të mos kenë kapital të mjaftueshëm për të përballuar kërkesën në rritje. Ka një diskutim të vazhdueshëm për rregullimin e mbivendosjes mes kostove të sigurimit të depozitave dhe kërkesave shtesë të kapitalit për bankat me rëndësi sistemike (pesë bankat më të mëdha).

Kjo do të thotë së, pavarësisht se mbajnë dyfishin e kapitalit, këto banka ende duhet të paguajnë të njëjtat tarifa sigurimi depozitash si bankat e tjera. Një tjetër temë kyçe në axhendë është implementimi i standardeve IFRS për të harmonizuar rregulloret e Bankës së Shqipërisë me kërkesat e raportimit sipas IFRS.

Gjithashtu, dixhitalizimi mbetet një prioritet kryesor për sektorin bankar. Pritet që të gjitha bankat të rrisin përdorimin e kanaleve dixhitale, të reduktojnë ndërveprimet në degë dhe të optimizojnë kostot operacionale.

Në tërësi, presim që viti 2025 të jetë një vit shumë i mirë për sistemin bankar, por jo domosdoshmërisht aq i mirë sa ishte viti 2024.

Lajmet e tjera

Intervistë për Revistën Monitor, Prill 2025 nga Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT
Banka Kombëtare Tregtare vlerësohet nga Global Finance si ‘’Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2025”
BKT CEE 2025 - Panel diskutimi drejtuar nga Z. Seyhan Pencabligil
BKT DREJTOI TRYEZËN E DISKUTIMIT ‘’SHQIPËRIA 2030 NË BE’’ NË FORUMIN PËR EVROPËN QENDRORE DHE LINDORE ORGANIZUAR NGA INVISSO