Banka Kombëtare Tregtare Merr Vlerësim Pozitiv nga S&P Global Ratings
Banka Kombëtare Tregtare SH.A. (BKT), institucioni financial lider në Shqipëri, ka kënaqësinë të njoftojë se S&P Global Ratings përcaktoi për BKT-në vlerësimin afatgjatë dhe afatshkurtër të kreditit në ‘BB-/B’, me perspektivë të qëndrueshme dhe vlerësimin afatgjatë të kundërpartisë për ndërhyrjen e jashtëzakonshme (RCR) në ‘BB’.
Ky vlerësim vë në pah pozicionin e konsoliduar në treg të BKT-së, me 25% të tregut bankar në Shqipëri dhe 17% në Kosovë, dhe performancën e qëndrueshme financiare, me një normë të lartë kthimi mbi kapitalin (ROE) mbi 12%, me një mesatare trevjeçare prej 17.5%.
Vlerësimi reflekton pozicionin lider të BKT-së në mbajtjen e një baze të fortë të depozitave të klientëve, duke zotëruar 25% të tregut, pozicion të fortë të likuiditetit dhe cilësi të lartë të aktiveve, ku norma e kredive me probleme është ndjeshëm nën mesataren e tregut, në 2.5% në Shqipëri dhe 1.2% në Kosovë.
Përfitueshmëria e vazhdueshme dhe rritja strategjike, reflektojnë përvojën dhe efikasitetin e menaxhimit të bankës dhe demonstrojnë qëndrueshmërinë dhe aftësinë për t'u adaptuar ndaj kushteve të tregut dhe zhvillimeve ekonomike.
Vlerësimi BB- është në një linjë me vlerësimin e sovranit të Shqipërisë BB/B dhe i njëjtë me vlerësimin Reference (Anchor rating), që është një vlerësim i S&P-së bazuar në çështjet ekonomike dhe bankare të vendit. Ky është një vlerësim i pritshëm për bankat me pozicionim dhe rëndësi të ngjashme në treg për vendet në zhvillim.
Vlerësimi nxjerr në pah se aktiviteti i BKT-së është i ndërlidhur me Shqipërinë në shumë dimensione. Kjo duket në pjesën solide të depozitave të klientëve, pritjeve pozitive për rritjen e kredisë si dhe nga ekspozimi i rëndësishëm në letrat me vlerë të sovranit. Ky ekspozim është në linjë me mesataren e tregut bankar vendas dhe përcakton profilin e rrezikut të bankës.
Ky vlerësim nga S&P Global Rating, i pari për një entitet jo-sovran në Shqipëri, është një testament i modelit tonë të biznesit të disiplinuar dhe proaktiv, lidershipit me eksperiencë dhe fokusit për të prodhuar vlerë për klientët tanë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare.
BKT-ja është banka më e madhe në Shqipëri me një total aktivi prej rreth 6.9 miliardë dollarë në baza të konsoliduara grupi bankar në fund të dhjetorit 2024. Banka operon në Shqipëri nëpërmjet 62 degëve dhe agjencive dhe u shërben më shumë se 800,000 klientëve me produkte dhe shërbime novatore.
Lexo raportin e plotë KËTU