BKT DREJTOI TRYEZËN E RRUMBULLAKËT TË SHQIPËRISË NË FORUMIN PËR EVROPËN QËNDRORE DHE LINDORE ORGANIZUAR NGA EUROMONEY
Vjenë, Austri (17 Janar 2018) - Më 16-17 janar 2018, Konferenca Euromoney, me rastin e organizimit të forumit të 23-të për Evropën Qëndrore dhe Lindore, u ndoq nga më shumë se 1,100 përfaqësues të qeverive, politik-bërës, financierë, lider të korporatave dhe investitorë. Ky forum konsiderohet si një nga ngjarjet më të mira të “networking” për këdo me interes në Evropën Qëndrore dhe Lindore.
Banka Kombëtare Tregtare, sponsorizoi dhe organizoi për të tretin vit radhazi Tryezën e Rrumbullakët të Shqipërisë, "Mobilizimi i Financave për Rritje të Mëtejshme", me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko, Zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë, Z. Erjon Luçi, Drejtor i Përgjithshëm i Finance-In-Motion Zj. Elvira Lefting dhe Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Z. Seyhan Pencabligil.
Z. Pencabligil, u shpreh se megjithëse rritja ekonomike e vlerësuar në 3.8 përqind në vitin 2017 është e konsiderueshme bazuar në rritjen e ulët globale, ekonomia e Shqipërisë dhe e rajonit të Ballkanit duhet të ecë me ritme më të larta për të patur prosperitet dhe për të arrirë nivelet e vendeve të BE në një kohë sa më të shkurtër. Ai theksoi se një zgjidhje e mundshme do të arrihej duke vënë në përdorim financat e disponueshme në sistemin bankar, i konsideruar si tepër likuid, për të realizuar investimet e nevojshme në përmirësimin e vendit. Ai shtoi se financimi i projekteve me Partneritet Publik Privat (PPP) duke patur mbështetjen e Bankës së Shqipërisë si edhe politikat de-euroizuese të bankës qëndrore mund të ndihmojnë në rritjen e kreditimit nga ana e bankave dhe si rrjedhojë edhe në rritjen e përgjithshme ekonomike.
Zj. Lefting konfirmoi se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera në rajon, teorikisht ka fonde të mjaftueshme, duke e përjashtuar anën financiare nga problematikat e mundshme dhe duke u shprehur se shumë më tepër përpjekje duhet të fokusohen në çështjet jo financiare. Ajo u përqëndrua në faktin se ndoshta Shqipëria nuk konsiderohet kritike sa duhet nga komuniteti ndërkombëtar për të tërhequr vëmendjen e nevojshme dhe nënvizoi rolin e rëndësishëm që komuniteti ndërkombëtar, përmes strategjive afatgjata, ka në udhëheqjen dhe mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt suksesit. Ajo konsideroi trajnimet dhe konsulencat mbi tema/sektore me qëndrueshmëri afatgjatë, si kritike për të ardhmen e rritjes dhe zhvillimit të Shqipërisë.
Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Luçi, tregoi optimizëm për rritjen ekonomike aktuale dhe të parashikuar, duke renditur disa nga reformat kryesore që qeveria ka ndërmarrë në sektorë të ndryshëm. Ai shtoi se treguesit ekonomikë po rikthehen në nivelet para krizës, duke e konsideruar si faktor mjaft pozitiv i cili tregon se Shqipëria është në drejtimin e duhur, por gjithashtu pranoi se ka ende shumë sfida përpara të cilat kërkojnë kohë dhe durim. Ai vijoi me listimin e disa prej projekteve të rëndësishme aktuale PPP që po realizohen në Shqipëri, duke nënvizuar ndikimin pozitiv që do të kenë në rritjen ekonomike dhe ftoi investuesit, duke konfirmuar synimin e qeverisë Shqiptare për të vazhduar me projekte të reja PPP të cilat do të jenë cilësore dhe me qëndrueshmëri afatgjatë.
Guvernatori Z. Sejko, pasi bëri një përmbledhje të shkurtër të historisë financiare dhe ekonomike të Shqipërisë gjatë këtyre 27 viteve të demokracisë, nënvizoi faktin se qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa reforma për të diversifikuar faktorët që ndikojnë në rritjen ekonomike, duke kanalizuar investimet në sektorë të ndryshëm me potencial të lartë dhe rrezik të ulët. Ai pohoi se treguesit e rritjes ekonomike në Shqipëri janë optimistë bazuar në situatën ekonomike globale dhe se sektori bankar dhe financiar luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e vendit dhe në rritjen ekonomike. Ai vijoi duke konfirmuar se sistemi bankar aktual është i mbi kapitalizuar me pothuajse 4 bilion euro të lira, të cilat duhen konvertuar në investime, duke e theksuar këtë si sfidën aktuale të Shqipërisë ku të gjitha palët e interesuara duhet të punojnë së bashku. Ai theksoi rënien e nivelit të kredive me probleme, dhe kërkoi nga bankat që të ruajnë këtë trend edhe në vitet e ardhshme.
Tryeza e rrumbullakët pati sukses, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve, të cilët drejtuan pyetje drejt panelit drejtues. Për më tepër, invenstitorët dhe institucionet financiare nga Shqipëria, të cilat morën pjesë në konferencë patën mundësi të mëdha për t'u takuar me përfaqësues të lartë nga vende të ndryshme, duke shkëmbyer pikëpamjet rreth situatës aktuale financiare në tregjet përkatëse, si dhe për të ndërtuar marrëdhënie biznesi.