Banka digjitale në sjell më pranë realitetit të ditëve të sotme ku zhvillimet teknologjike po marrin një hov të përmasave gjigante në rrafsh global, sidomos përsa ju përket periudhave të viteve të fundit ku fjala normalitet vështire të njihet megjithëse adhurohet nga të gjithë ne. Periudha e pandemisë Covid-19 tashmë i ka dhënë fund modelit të ‘’bankingut të zakonshëm’’, duke u kthyer kështu në një katalizator të fuqishëm për një ndryshim të pakthyeshëm në industrinë financiare në përgjithësi dhe sektorin bankar në veçanti.
Secili prej nesh tani ka bankën kudo dhe kurdoherë që ka nevojeë për të. Së pari, tani klientët mund të kursejnë kohën e tyre për duke mos shkuar fizikisht në bankë, njëkohësisht duke shmangur pritjet në radhë. Mjafton një click dhe bankën e kemi gjithmonë “me vete” në çdo kohë që duam dhe sa herë që dëshirojmë të kryejmë pagesa apo transferta monetare por jo vetëm. E pra, bankat e epokës digjitale i pergjigjen këtyre nevojave duke ngritur platforma virtuale komunikimi. Kjo marrëdhënie është zhvilluar duke ardhur drejt përmirësimit me përparimin e vetë teknologjisë. “Të kesh bankën me vete” do të thotë që nëpërmjet një karte debiti apo krediti të tërheqësh paratë e tua në çdo vend të botës e në çdo orë të ditës, ke mundësi të zhvillosh blerje në një dyqan fizik apo edhe virtual. Nëpërmjet aplikacioneve përkatëse ne mund të kryejmë vitualisht të gjitha veprimet bankare njëlloj sikur do të ishim në degë. Mund të hapim, të kontrollojmë apo të bëjmë mbylljen e një depozite sipas afatit dhe monedhës së dëshiruar, mund të bëjmë kontrollin e kredisë në kohë reale, mund të bëjmë gjithashtu pagesën e detyrimit të kartës së kreditit me një click, transfertat e parasë midis llogarive, këmbimet e nevojshme valutore, pagesat e faturave mujore të ujit, energjisë elektrike, telefonit dhe shërbimeve të tjera. Të gjitha këto shërbime mund të kryhen mjaft lehtë 24 /7 ditë të javës. Marrëdhënia virtuale me bankën bëhet po aq e sigurt sa edhe në jetën reale duke na mundësuar një përfshirje të gjerë financiare.
Së dyti, banka digjitale tashmë ka forcuar lidhje jo vetëm me klientët por edhe me stafin e saj. Përfshirja financiare përkon me promovimin në mënyrë të përshtatshme, të aksesueshme dhe në kohën e duhur, të një rrjeti të gjerë produktesh e shërbimesh financiare të standartizuara, dhe zgjerimit të përdorimit të tyre në të gjitha segmentet e shoqërisë përmes zbatimit të përqasjesve të dedikuara ekzistuese dhe atyre inovative, duke përfshirë ndërgjegjësimin financiar dhe edukimin me një qasje drejt promovimit të mirëqenies financiare si dhe të përfshirjes ekonomike dhe sociale. Falë digjitalizimit edhe të bizneseve dhe institucioneve, bankat munden të minimizojnë shpenzimet, të rrisin të ardhurat dhe të përmirësojnë rentabilitetin. Për shembull: duke përdorur videokonferencat për mbledhje midis anëtarëve në vende të ndryshme kjo bën të mundur uljen e kostove të përgjithshme operative të bankës.
Por, nga ana tjetër për shumë njerëz vështirësia më e madhe qëndron në të mësuarit, adaptimi apo përshtatja me ndryshimet dhe inovacionet të cilat ndikojnë që besimi i tyre të jetë i lëkundur ndaj shërbimit online megjithëse ai ofron shumë lehtësira duke filluar nga komoditeti, shpejtësia e transaksioneve, efektshmeria, fleksibiliteti etj. Si në çdo aspekt tjetër njerëzit fillimisht përpara një ndryshimi do të shoqërohen nga ndjenja e të qenit konfuz por me kalimin e kohës kjo fillon dhe zbehet hap pas hapi duke ia lenë vendin besimit i cili arrin të fitohet nga benefitet tashmë të marra.
Ajo që është më e rëndesishmja, njerëzit i tremben faktit se përdorimi i shërbimeve bankare digjitale nëpërmjet internetit mund të sjellë edhe rrezikun e penetrimit nëpermjet rrjetit në mënyra të ndryshme, për shembull duke përvetësuar kodin sekret të hyrjes, duke ndermjetesuar komunikimet me e-mail apo duke kryer veprime bankare ne emer të të tjerëve por përkundrazi bankat tashmë digjitale kanë krijuar mbrojtjen e klientit nga krimi kibernetik duke përdorur sisteme të përparuara sigurie, të cilat mundësojnë kodimin e të gjithë informacionit që qarkullon mes bankës dhe klientit. Në këtë mënyrë klientit i garantohet siguria, integriteti dhe disponueshmëria e produkteve dhe shërbimeve bankare që i ofrohen nga banka.
Për sa përmendur më sipër njërëzve duhet patjetër t’u vihet në dispozicion informacion i cili vjen nga burime të sigurta që ofrojnë nivel besueshmërie për ta. Këtu vlen të përmendim një shprehje të Benjamin Franklin i cili citon: “Investimi në dituri paguan interesin më të mirë”.
Në këtë kuadër edukimi financiar sjell përfitime në të gjitha shkallët, duke filluar nga individi, organizatat dhe komuniteti në tërësi, kështu ata do të marrin vendime më të përgjegjshme dhe më të menduara financiarisht duke bërë hapa të sigurt duke na dhënë një efekt pozitiv në përfshirjen financiare.
Ndaj është i rëndesishëm adaptimi dhe përshtatja ndaj inovacioneve dhe konkretisht pranisë së bankës digjitale sepse çdo zhvillim do të vijë duke sjellë dhe mbartur me vete në mënyrë të pashmangëshme pasiguri, por thelbësore është të mund të nxirret në pah qëllimi i këtij zhvillimi dhe të merret më e mira ashtu sikurse banka digjitale na solli një përfshirje më të gjerë financiare. Vlen të përmendim se me anë të përfshirjes së gjerë financiare e cila është thelbësore për të “përqafuar” mundësitë e ofruara nga një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks. Unë jam tërësisht e bindur se banka digjitale do të vijë drejt përmirësimit nga dita në ditë duke mundësuar qasjen e klientit me risitë dhe ndryshimet më të përditësuara të cilat e sjellin atë çdo ditë e më tepër më pranë modelit të përsosur. Kjo është e ardhmja e sektorit bankar, duke na bërë në gjithmonë e më mirë.
E.Gallo