Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare

Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare. Ky ndryshim përfshin ekonomitë në zhvillim dhe për shumë prej tyre, ofron një alternativë praktike ndaj bankave tradicionale. Sipas një artikulli të publikuar nga Kombet e Bashkuara (2016), ndër synimet kryesore të financës digjitale është ulja e varfërisë dhe rritja e përfshirjes financiare. Për të arritur këtë synim, prej vitit 2010, vendet e G-20 dhe Banka Botërore kanë udhëhequr inciativën e digjitalizimit të sistemit bankar dhe rritjes së përfshirjes financiare (GPFI, 2010). Ndër faktorët që mbeten në studim janë problemet që lindin prej digjitalizimit financiar. Akademikët besojnë se nëse këto probleme adresohen, mund ta bëjnë financën digjitale të përshtatet më shumë me nevojat e individëve, bizneseve, qeverive dhe ekonomisë në tërësi. Kjo rritje në përshtatshmëri do të mundësojë rritjen e aksesit në financë për individët me të ardhura të ulëta, uljen e kostove të ndërmjetësimit financiar dhe rritjen e shpenzimeve agregate për qeveritë (Ozili, 2018).

Bazuar në një raport nga McKinsey, financa digjitale përshkruhet si “shërbime financiare të ofruara përmes telefonave, internetit dhe kartave” (Manyika et al., 2016). Një artikull nga Gomber, Koch dhe Siering (2017) e përkufizon si shumëllojshmërinë e produkteve, shërbimeve, teknologjisë apo infrastrukturës që mundësojnë aksesimin e lehtësirave të pagesave, kursimeve dhe krediteve përmes internetit dhe pa nevojën të vizitojnë një degë bankare apo të merren me një ofrues shërmbimesh financiare në mënyrë direkte. Në raportin e tyre, CGAP (2015) e përkufizon përfshirjen financiare digjitale si aksesi dhe përdorimi i shërbimeve financiare nga personat e përjashtuar dhe nënshërbyer të popullatës. Pavarësisht këtyre përkufizimeve, ekzistojnë tre komponentë kryesorë për çdo shërbim financiar digjital: platforma, agjentët dhe përdorimi nga klientët (CGAP, 2015). Për të përdorur shërbimet financiare digjitale, përdoruesit duhet të kenë një llogari bankare ekzistuese si dhe duhet të kenë fonde për të bërë pagesat apo të përftojnë të ardhura përmes platformave si telefonat, kompjuterat dhe interneti në tërësi. Pra, procesi i përfshirjes financiare nis me supozimin se personat e popullatës të përjashtuar dhe nënshërbyer nga bankat disponojnë një formë të një llogarie bankare, që i mundëson të kenë akses digjital dhe të kryejnë transaksione financiare në distancë. Konkretisht, financa digjitale dhe përfshirja financiare nuk kanë përshkuar mjaftueshëm segmente të popullatës, duke sugjeruar një hendek ekzistues midis disponueshmërisë financiare, aksesit dhe përdorimit (G20 Summit, 2013).

Rritja e përfshirjes financiare digjitale premton të ndihmojë bankat të ulin kostot duke reduktuar radhët në banka, shkresat dhe dokumentat e nevojshme, duke ulur kështu numrin e nevojshëm të degëve bankare (IFC, 2017). Për më tepër, depozituesit do të kenë mundësinë të lëvizin lehtësisht mes bankave. Kjo do të sillte në rritjen e konkurrencës midis tyre, duke i detyruar ato të ofrojnë shërbime cilësore kunddrejt riskut të humbjes së klientëve ndaj bankave të tjera në treg. Ndër avantazhet për rregullatorët e sistemit financiar dhe monetar, cilësohet se përfshirja financiare ndihmon në reduktimin e niveleve të larta të inflacionit. Kjo ndodh pasi financa digjitale ul sasinë e parave fizike në qarkullim, një efekt veçanërisht i nevojshëm në vendet e ekonomive në zhvillim (GPFI, 2016). Gjithashtu, përfshirja financiare digjitale mund të përmirësojë mirëqenien e individëve dhe bizneseve. Duke patur një platformë digjitale të sigurtë ku mund të aksesojnë fondet në llogarinë bankare, këta klientë mund të kryejnë transaksione financiare në çdo kohë (CGAP, 2015). Remitancat globale janë një ndër aspektet që mund të pësojnë një transformim të plotë falë përdorimit të teknologjisë (Appaya, 2021). Kostoja mesatare globale e dërgimit të këtyre fondeve në formë cash është 6.8%. Në krahasim, kostoja e një transaksioni tërësisht digjital e ul këtë kosto në 3.3% duke reduktuar problemet në likuditet.

Përveç   avantazheve, financa  digjitale  mund   të  ketë  dhe  efekte  negative ndaj përfshirjes financiare. Ofruesit e shërbimeve financiare digjitale janë korporata, të cilat e përdorin financën digjitale me qëllimin e maksimizimit të fitimit apo mundësive të fitimit.  Për të arritur këto synime, ofruesit e shërbimeve mund të përdorin taktika marketingu më tërheqëse për përdoruesit me të ardhura të mesme ose të larta dhe të përdorin taktika më pak tërheqëse për personat me të ardhura të ulëta (Ozili, 2018). Kjo taktikë diskriminuese bëhet pasi ofruesit mendojnë se individët me të ardhura të ulëta nuk do të kenë mundësinë për të paguar tarifat e lidhura me platformat digjitale, duke ulur përfshirjen financiare për këtë grup të popullatës. Për më tepër, paragjykimet gjeografike mund të përbëjnë problem në disponimin e financës digjitale. Ofruesit e financës digjitale mund të vendosin të ndalojnë disponimin e shërbimeve në zona me risk të lartë si zonat rurale apo komunitetet që nuk disponojnë infrastrukturën e duhur të mbështesin shërbime specifike financiare. Së fundmi, paragjykimet në edukim mund të ndikojnë në ofrimin e shërbimeve financiare digjitale. Vlera monetare neto e përftuar prej ofrimit të financës digjitale në komunitete me nivele ekonomike dhe edukative të ulëta mund të jetë tepër e vogël. Për këtë arsye, ofruesit e shërbimeve, duke u bazuar në vlerësimet e përfitueshmërisë, mund të zgjedhin të fokusohen më pak në shpërndarjen e shërbimeve në këto komunitete, duke i vlerësuar si me mangësi në literaturën financiare për të përdorur financën digjitale.
 
Krahas efekteve të përmendura, ndikimi dhe perspektiva e vërtetë e shërbimeve financiare dixhitale janë zhvillime që do të përcaktohen vetëm pas ekzekutimit të tyre. Drejtori i Aleancës së Përfshirjes Financiare, Hanning (2017), ka thënë se “Adoptimi i financës digjitale do të ketë një impakt të ndjeshëm jo vetëm në përfshirjen financiare, por dhe në përfshirjen e rritjes ekonomike”. Për më tepër, Manyika et al. (2016) në studimin e tyre bazuar në shtatë shtete – Brazili, Republika Popullore e Kinës, Etiopia, Meksika, Nigeria, India dhe Pakistani- konkludojnë se financa digjitale ka potencialin t’u japë akses në shërbimet financiare 1.6 miliard njerëzve në ekonomi në zhvillim. Studimi i tyre shton se shtimi dhe përdorimi në masë i financës digjitale mund të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto të ekonomive në zhvillim me 6% ose $3.7 trilionë brenda vitit 2025, një zhvillim ekuivalent me ekonominë e Gjermanisë. Gjithashtu, do të krijoheshin 95 milionë punë të reja globalisht në të gjithë sektorët përmes PBB shtesë. Duke qenë se PBB-ja është një komponent kyç i indeksit të zhvillimit të ekonomisë, implementimi i shërbimeve financiare digjitale në sektorin bankar do të kontribuojë në uljen e nivelit të varfërisë dhe të sjellë përfshirjen në rritjen ekonomike për të arritur synimet globale të zhvillimit të qëndrueshëm. Drejtori kërkimor i Cornerstone Advisors, Shevlin (n.d.) ka thënë se “Sfida për bankat nuk është digjitalizimi, por dhënia e një vlere për të që perceptohet në një linjë me koston, më saktë dhënia e një vlere të cilën klientë janë të gatshëm ta paguajnë”. Konkretisht, lehtësirat që financa digjitale u sjell individëve me të ardhura të ulëta ose të ndryshueshme është shpesh herë më e vlefshme për ta se sa kostoja që do të paguajnë përkundrejt aksesit ndaj këtyre shërbimeve të ofruara nga institucionet financiare e besueshme dhe të kontrolluara si bankat.
 
Financat dixhitale, nëpërmjet ofruesve të teknologjive financiare, kanë treguar një efekt pozitiv në rritjen e përfshirjes financiare si në ekonomitë në zhvillim ashtu edhe në ato të zhvilluara (Ozili, 2018). Zgjerimi i përfshirjes financiare u mundëson individëve të cilët më parë ishin të përjashtuar financiarisht nga ky zgjerim, të investojnë më tej në arsim, të kursejnë dhe të zhvillojnë biznese. Këto avantazhe do të kontribuojnë në reduktimin e varfërisë dhe rritjen ekonomike (Bruhn & Love, 2014). Një sistem financiar përfshirës është i dëshirueshëm për çdo anëtar të sistemit dhe do t’i ofrojë mundësi çdo personi, por sidomos atyre me të ardhura të ulëta, të aksesojnë dhe lëvizin fonde, të rrisin kapitalin dhe të ulin riskun. Megjithatë, ekzistojnë disa sfida që financa digjitale paraqet në raport me përfshirjen dhe stabilitetin financiar, kryesisht për shkak të perceptimit të bankave si korporata fitim-kërkuese. Së fundmi, përfshirja financiare në vetvete nuk është thjesht një synim, por një mënyrë për të rritur dhe mundësuar zhvillimin ekonomik (Appaya, 2021). Si përfundim, avantazhet e pritshme të përfshirjes financiare dixhitale mund të arrihen vetëm nëse kostoja e aksesit në platformë është e papërfillshme për pjesën e popullsisë me nivelin më të ulët ekonomik.

M.Male

Sugjerime mbi tema të tjera

Ndikimi i rënies së euros në ekonominë shqiptare.
Rënia e euros në raport me lekun ka qenë një ndër temat më të diskutuara kohët e fundit në Shqipëri.
Të marrësh një kredi hipotekore apo të jetosh me qira?
Vendimi për gjetjen e një banese për të jetuar është një ndër vendimet më të rëndësishme që duhet të bëjë çdo familje.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.