Të marrësh një kredi hipotekore apo të jetosh me qira?

Vendimi për gjetjen e një banese për të jetuar është një ndër vendimet më të rëndësishme që duhet të bëjë çdo familje. Ky vendim vështirësohet më tepër për familjet e reja, të cilat mund të mos kenë grumbulluar të ardhura të mjaftueshme për të përballuar koston e blerjes së një shtëpie. Prandaj shpeshherë familjet gjenden në dilemën midis blerjes së një shtëpie me kredi hipotekore ose të jetuarit me qira. Secila nga këto alternativa ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Analizimi i situatës për secilën alternativë është mënyra më e mirë për të bërë zgjedhjen e duhur. Më poshtë janë paraqitur disa elementë që duhet të merren në konsideratë për të krahasuar marrjen e kredisë hipotekore kundrejt të jetuarit me qera.
 
  1. Pronësia
Me marrjen e një kredie hipotekore, ju po bëni një investim në fund të së cilit do të bëheni zotërues i pronës së lënë si kolateral pranë bankës. Pas përfundimit të afatit të kredisë dhe pasi janë shlyer të gjitha detyrimet përkatëse ndaj bankës, ju mund ta përdorni këtë pronë si kolateral për një kredi tjetër në të ardhmen. Ndërsa, nëse zgjidhni të jetoni me qira, ju do të kryeni çdo muaj pagesa, të cilat për ju janë vetëm shpenzime dhe ju nuk do të zotëroni asgjë në fund të periudhës gjatë së cilës po jetoni me qira, pasi ju po paguani për të përdorur përkohësisht shtëpinë e qiradhënënsit. 
 
  1. Normat e interesit
Kredia hipotekore ofron norma interesi të cilat tentojnë të jenë më të ulta në krahasim me format e tjera të huamarrjes sepse kredia sigurohet nëpërmjet një prone të paluajtshme. Ndërsa një shtëpi e marrë me qira nuk ndikohet nga normat e interesit.
 
  1. Investimet në shtëpi
Nëpërmjet blerjes së një shtëpie me kredi hipotekore, ju do të keni shtëpinë tuaj, të cilën mund ta mobiloni dhe ta rregulloni sipas dëshirës suaj. Gjithashtu mund të kryeni investime të tjera në strukturën e shtëpisë psh mund të zgjeroni një ambient dhe mund të zvogëloni një ambient tjetër pa qenë e nevojshme marrja e miratimit nga qiradhënësi. Ndërsa për të bërë ndryshime në një shtëpi të marrë me qira, duhet të merrni miratimin e qiradhënësit. Përveç kësaj, ju nuk do të keni ndonjë nxitje për të shpenzuar vlera të mëdha mjetesh monetare për të dizenjuar ose rregulluar shtëpinë, pasi çdo investim shkon për qiradhënësin.
 
  1. Kostot ligjore, tatimore dhe kostot e tjera
Me blerjen e një shtëpie me kredi hipotekore, ju duhet të mendoni edhe për kostot që e shoqërojnë këtë alternativë, pasi përveç principalit, ju duhet të paguani edhe interesat, komisionet, tatimet, sigurimin e jetës, sigurimin e pronës, koston për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, kostot ligjore si psh noterët, hipotekën etj. Disa nga këto kosto kryhen vetëm një herë, në momentin e marrjes së kredisë si psh: kostoja për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, kostot ligjore etj. Ndërsa për marrjen e një shtëpie me qira, ju do të paguani një vlerë të caktuar çdo muaj, e cila zakonisht varet nga zona se ku po jetoni.
 
 
  1. Kosto e mirëmbajtjes
Përveç kostove të tjera, financimi me anë të kredisë hipotekore kërkon që ju të paguani taksat mbi pasurinë e paluajtshme dhe kostot e mirëmbajtjes së shtëpisë, pasi tashmë ju konsideroheni se jeni pronar i shtëpisë dhe këto kosto duhet të mbulohen nga ju. Në rastin e qiramarrjes, këto kosto mbulohen nga qiradhënësi, pasi ai është përgjegjës për riparimet e shtëpisë, ndërsa qiramarrësi ka përgjegjësi të kufizuar në këto shpenzime.
 
  1. Investimi fillestar
Me marrjen e një kredie hipotekore duhet të siguroheni që keni një sasi të mjaftueshme mjetesh monetare për të përballuar një pjesë të çmimit të blerjes së shtëpisë, pasi zakonisht banka mbulon vetëm 80% të vlerës së shtëpisë, ndërsa 20% e kësaj vlere paguhet nga huamarrësi në momentin e blerjes. Prandaj përpara se të merrni një kredi hipotekore duhet të keni grumbulluar edhe disa kursime (mjete monetare), të cilat do t’ju shërbejnë për të paguar 20% të vlerës së pronës. Ndërsa në rastin e marrjes së një shtëpie me qira zakonisht kërkohet një parapagim që mund të jetë sa vlera mujore e qirasë.
 
  1. Luhatja e tregut të pasurive të paluajtshme
Blerja e shtëpisë duke u financuar me anë të kredisë hipotekore ndikohet nga zhvlerësimi i tregut të pasurive të paluajtshme (banesave), pasi ky treg ka luhatje të vazhdueshme. Me kalimin e viteve vlera e shtëpisë suaj mund të ulet si rezultat i zhvlerësimit të çmimit të banesave në zonën tuaj, pavarësisht se vlera e kredisë suaj nuk ndryshon (është sa 80% e vlera e pronës në momentin e marrjes së kredisë). Në këtë rast alternativa më e mirë është ajo e marrjes me qira, për shkak të fleksibilitetit që ofron në ndryshimin e vendbanimit ose negocimit me qiradhënësit për çmimin, duke iu referuar çmimit të tregut të banesave në atë zonë. Ndërsa një vlerësim i tregut të pasurive të paluajtshme do të ndikojë pozitivisht në vlerën e pronës suaj të blerë me anë të kredisë hipotekore, pasi vlera e saj do të rritej dhe pronari do të siguronte fitim kapital në rast se do ta shiste. Prandaj në këtë rast do të rekomadohej blerja e shtëpisë me kredi hipotekore.
 
  1. Fleksibiliteti
Financimi me kredi hipotekore nuk iu ofron fleksibilitet në ndryshimin e zonës së banimit, pasi përveç procedurave të shumta, shoqërohet edhe me kosto të tjera ekstra. Ndërsa nëse ju zgjidhni të jetoni me qira, do të keni fleksibilitet përsa i përket ndryshimit të zonës së banimit. Megjithëse çdo herë që ju vendosni të ndryshoni vendbanimin, do të keni kosto që shoqërojnë lëvizjen nga një shtëpi në tjetrën, pavarësisht se kjo kosto është e ulët ose e papërfillshme. Qiramarrësi ka më shumë fleksibilitet, kjo edhe për faktin se qiraja zakonisht është afatshkurtër, kurse kredia hipotekore ka të bëjë me një detyrim afatgjatë.
 
  1. Afati
Qiramarrja kushton më pak para në këndvëshrimin afatshkurtër. Fondet të cilat do të përdoreshin për të paguar 20% të çmimit të blerjes së shtëpisë ose pagesat e kësteve të kredisë mund të investohen në llogari kursimi, nëpërmjet së cilës mund të gjenerohen të ardhura nga interesi. Kur duhet të merrni vendimin ndërmjet të jetuarit me qira apo marrjes së një kredie hipotekore, duhet të merrni në konsideratë që qiraja është zakonisht afatshkurtër, kurse kredia hipotekore është afatgjatë.
 
Si konkluzion, secila prej alternativave ka avantazhet dhe disavantazhet e saj në raport me alternativën tjetër. Nuk ka një përgjigje definitive nëse marrja me qira ose blerja e një shtëpie me kredi ëshë më e mirë. Përgjigjja varet nga situata juaj personale, buxheti, stili i jetesës dhe qëllimet tuaja personale. Ju duhet të peshoni mirë kostot dhe përfitimet e secilës alternativë bazuar në të ardhurat, kursimet, mënyra juaj e të jetuarit dhe më pas të merret vendimi i madh për alternativën më të përshtatshme për familjen tuaj. Kështu që gjithëçka varet nga ju!
 
 
                                                                                                          Sara Shurdhi

Sugjerime mbi tema të tjera

Ndikimi i rënies së euros në ekonominë shqiptare.
Rënia e euros në raport me lekun ka qenë një ndër temat më të diskutuara kohët e fundit në Shqipëri.
Të marrësh një kredi hipotekore apo të jetosh me qira?
Vendimi për gjetjen e një banese për të jetuar është një ndër vendimet më të rëndësishme që duhet të bëjë çdo familje.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.