Mbrojtja Konsumatore përmes Edukimit Financiar
Në shekullin XXI, të qenurit i edukuar financiarisht përbën një domosdoshmëri për këdo duke patur parasysh zhvillimet e vrullshme dhe dinamike që solli ky shekull si në fushat e ekonomisë dhe bankingut po ashtu edhe në fushën e teknologjisë. Edukimi financiar ndihmon, jo vetëm prodhuesit dhe investuesit të marrin vendime të goditura financiare, por edhe konsumatorët të mirëmenaxhojnë të ardhurat e tyre personale. Është e qartë që të zotëruarit e një niveli njohurish financiare do të ndikonte shumë në vendimet tonat lidhur me kontratat e punës, blerjen e një apartamenti, sigurimin e pronës apo investimin në një plan pensioni privat.
Edukimi financiar është procesi me anë të së cilit njerëzit përmisojnë kuptimin për produktet financiare, shërbimet dhe konceptet, kështu që ata janë të aftë për të bërë zgjedhjet e duhura, për të shmanguar atë ç’ka ju ofrohet dhe të dinë se ku të shkojnë për ndihmë dhe të ndërmarrin veprime për të përmisuar mirëqënien e tyre aktuale dhe të ardhme (OECD,2012, f.13 ).
Më poshtë do të gjeni të listuara disa nga mënyrat se si rritja e aftësive përmes procesit të edukimit financiar ndikon në mbrojtjen e konsumatorëve:
- Parandalon rrezikun për tejkalimin e borxhit. Sot kredia (sidomos në formën e overdraftit dhe kartave të kreditit) e ndihmuar edhe nga inovacioni teknologjik është bërë më e lehtë se në të kaluarën, duke i ofruar konsumatorit jo vetëm një mënyrë financimi por edhe plane shlyerjeje të kësteve që shkojnë përtej mundësisë së tij për të përballuar këto borxhe;
- Mirëmenaxhimi i të ardhurave personale. Konsumatorët do të jenë në gjendjë të hartojnë buxhete personale. Ne këtë mënyrë jo vetëm që programojnë se ç’pjesë të të ardhurave të tyre do të shpenzojnë dhe në ç’formë, por bëjnë edhe një plan të detajuar kursimi për të ardhmen. Gjithashtu, nëse buxheti zbatohet me përpikmëri, konsumatorët shmangin blerjet e panevojshme që vijnë si pasojë e ofertave marketing tunduese;
- Parandalon rrezikun e mashtrimit. Nëse konsumatorët nuk janë të aftë financiarisht, nuk do të jenë në gjendje të zgjedhin alternativat më të mira për kursimet apo investimet e duhura për veten e tyre. Zhvillimi dhe sofistikimi i produkteve financiare i ka vënë konsumatorët përballë zgjedhjeve që shkojnë përtej thjesht krahasimit të normave të interesit duke bërë zgjedhje më komplekse siç janë: zgjedhja e llojit të fondit të pensionit, ose sigurimi shëndetësor. Njëkohësisht, konsumatorët mund të jenë në rrezik mashtrimi nga persona të palicensuar. Përvojat e kaluara, edhe nga shoqëria jonë, kanë treguar që shoqëritë me njohuri të ulta financiare janë më të predispozuara të bien pre e skemave mashtruese. Konsumatorët e mirëinformuar i përballojnë më mirë këto sfida;
- Marrja e një produkti dhe shërbimi cilësor financiar, Kur konsumatori ka mungesë arsimi financiar ndodh që të mos jetë i aftë të artikulojë qartë nevojat e tij duke u bërë shkas që të keqshërbehen me produkte te padëshiruara. Nëse niveli i edukimit financiar do të rritet, atëherë ofruesit do të ishin në gjendje të zhvillonin produkte më të përshtatshme dhe të pozicionohen në kanalet e duhura të shpërndarjes; etj.
Në ditët e sotme, edukimi financiar padyshim përfaqëson një avantazh konkurrues, i cili është element kyç për të përfituar nga mundësitë që ofron mjedisi. Gjithashtu, duke patur parasysh eksperiencën e hidhur të krizës së viteve të fundit, vlen të theksohet fakti që nuk ka qenë rastësore që shtresa më e goditur ka qenë pikërisht ajo me nivel më të ulët të aftësive financiare. Prandaj, jo vetëm studiuesit kanë kthyer vëmendjen drejt studimit të këtij procesi, por ka reagime dhe nisma konkrete të iniciuara nga qeveritë dhe institucionet kopetente për rritjen e nivelit të edukimit financiar.
Punoi: Monika Topi (Sinameta)