Menaxhimi i të ardhurave financiare dhe marrëdheniet me bankat në kohë pandemie
Njeriu në zotërimin e vet të qenies së tij, një nga armët dhe mbështetjet më të forta, në udhën e gjatë e të vrullshme, ka konsideruar dhe vlerëson marrëdhënien financiare me vetveten, me të tjerët, me grupet shoqërore dhe me institucione financiare. Viti 2020, një periudhë që historia njerëzore do ta analizojë e kujtojë gjatë. Cfarë ndodhi me njeriun, po me përgatitjen e tij, po me investimet dhe deri këtij momenti për sot, po me pikëpyetjet e ndryshme? Fokusi i rëndësishëm i jetës, paraja, të ardhurat financiare, në vitin e përballjes me COVID-19, nën kushte pandemie, lëvizën shinat drejtuese, u lëkundën apo tentuan drejtpeshimin.
Shoqëria njerëzore i përket niveleve të ndryshme të të jetuarit, e nëse është fjala për shtresa të nivelit të lartë, ku financat, të ardhurat vështirë se njohin sulmin, analistët profesionistë të çështjes, do të mund të trajtonin burime dhe vlera shfrytëzuese të tyre në aspektë të ndryshme e në stad ekspertësh. Unë marr përsipër, me analizën dhe mendimin tim, të vë në dukje situatën menaxhuese dhe marrëdhënien bankare njerëzore të momentit aktual, referuar shtresës së thjeshtë, të zakonshme të popullatës, ngërçi i së cilës rrjedh dhe tregon, krijon paramendim, ankth, por edhe rrugëdalje, domosdoshmërisht.
Sikur ta mendojmë për një moment jetën pa bankat, ç’mund të ndodhte, çfarë paralize mund të ndihej e shëtiste udhëve të botës? Mua do më trembte edhe ju, sepse mbështetja e plotë e individit gjendet tek institucionet. Ndoshta ajo që imagjinova, mund t’i kalonte kufijtë e pandemisë. Por, si do të ishte më mirë të menaxhoheshin sot të ardhurat financiare, me bankat apo pa to?
Së pari, individi ose familjari kreditor, u gjend apo gjendet para dilemës: Po vendi i punës, po kredia? Dikush e përballoi, dikush jo, dikush e humbi vendin apo pati rënie të ardhurash. Sa të vështirë e pati ose e ka menaxhimin e financave të veta individi, kur edhe banka kërkon detyrimin e saj? Mos harro, ajo bankë të ka ndihmuar në nevojën tënde, në momentin e vështirësisë apo dëshirës tënde, kur shkove për të marrë kredi dhe tashmë. Por, bankat patën formatin e tyre, masat e tyre në këto kushte, shtyrjen e kësteve, uljen e interesit, individi u gjend dhe mbetet falënderues. Menaxhimi financiar pati përfitim, por akoma më të madh duke ngulitur në kokë fjalën e bukur: KURSIM! Duket e madhe kjo fjalë, sa dhe e vështirë. Por, ashtu si institucioni bankar, që menaxhon e llogaritë çdo gjë, institucioni i familjes apo individit, krijon më shumë se kurrë në kokën e tij bankën, bankomatin e vogël, buxhetin dhe ndarjen e tij. Por, për çdo hapësirë, ti vijon t’i drejtohesh bankës, ajo të mirëpret. Përpiqu të ruash marrëdhënie të rregullt me të në kohëzgjatjen e kredisë apo çdo instrumenti tjetër financiar.
Së dyti, individi që nuk pati ose nuk ka kredi, nuk ndjeu shtrëngesën e bankës, të këstit, të ndihmës prej saj, nuk pati këtë frikë, ndoshta e menaxhon më mirë se të tjerët situatën në kohë pandemie. Dikush mund t’i ketë thënë se ndihej më mirë ai që nuk ishte kreditor, dhe kjo nuk është e pavërtetë. Por edhe jashtë bankës, të ardhurat s’mund të themi që nuk njohën fjalën kursim. Kjo fjalë hyri kudo, ajo shihet kudo, paçka se lëvizja e jashtme njerëzore, përpiqet mos ta reflektojë. Njeriu vijon jetën në të gjitha hallkat dhe aktivitetin në të njëjtat lloje e pozita, por në gjithçka, shpenzimet u deshën të ishin më pak. Nëse jokreditori, në këto momente dëshiron të bëhet kreditor se i nevojitet, mendohet thellësisht, pak i frikshëm, por zgjidhjen e ndjen. Nëse humbet vendin e punës apo të ulen të ardhurat, si do të jetësohej kredia, do të thoshim, por zbutjet janë kudo: kredi për studentë, për pensionistë, kredi me afat shumë të shkurtër, etj., të cilat nuk ta presin udhën.
Së treti, askush nuk e di sa do të zgjasë pandemia, ndaj këtu shpirti dhe pesha e kursimit, hyri edhe te njeriu shpenzues pa kriter, kjo bazë ndërhyri në xhepa a portofolë, më me siguri. Ndërsa kur është fjala për kursimet apo depozitat bankare, ato i kanë shërbyer përherë njerëzimit e sistemit të tij financiar. Po sot? Sa herë ndeshen pranë tyre, dhurojnë buzëqeshje. Dikush vështirë se mund ta ruante instrumentin para, pa e dërduar në bankë.
Pandemia, ngërçi i kohëve moderne, të jetës së sotme moderne, me burim e pasojë prishjen e ekuilibrave botërorë, e ka fillesën edhe te ky instrument, te mekanizmi jetëdhënës i monedhave e kartëmonedhave, që prej shumash të mëdha apo të vogla, njeriut i shtrëngojnë grushtin dhe dorën. Krahas kujdesit e mbrojtjes nga Koronavirusi, distancës e maskës, njeriu sot kthen sytë nga vetja, puna e vet, menaxhimi i saj, të ardhurat të mjaftueshme ose jo, dhe vijon me kapacitetin e tij, në një rrugë ku ekonomisti, projektuesi, plani, afati, të gjitha këto brenda qenies së tij, e shndërruan në jetëdhënës të vazhdimit për të mos humbur, për të ndjerë vitalen financiare, pavarësisht çdo kondite. Banka e vogël e trurit, e familjes dhe banka si institucion financiar, janë shkrirë në një. Kjo e fundit jep jetë, përvojë, zhvillim dhe avantazhe që dëshmojnë kapacitete. Njeriu vijon këtë marrëdhënie, pavarësisht mendimit, ankthit, pritjes. Nesër ka shumë më tepër për t’u mësuar brezave në menaxhimin jetësor e financiar. Kur të dalim nga pandemia, të lodhur ose jo, të varfër ose jo, do të punojmë më fort, më plot, në një sukses më të madh marrëdhënieje se para disa kohësh me vlerën dhe instrumentin para. Rruga nuk është e thjeshtë, tek e fundit, gjithë brezat kanë ecur kështu. Fjalët: kohë, para, kursim, ekuilibër, le t’i quajmë esenca të kalimit nga një fazë në tjetrën! Mos harroni rrugën e bukur: shtëpi-bankë! Mbetet përjetësisht e bukur!
Mimoza Konomi