Pyetjet më të shpeshta

1. Cili duhet të jetë afati i shlyerjes për huanë tuaj hipotekore?

Shumica e kredive hipotekore janë krijuar në bazë të një plani shlyerje 20 vjeçar, por mund të variojnë nga 10 deri 25 vjet. Pasi të përcaktoni afatin e përshtatshëm të shlyerjes, përcaktoni shumën që mund të paguani çdo muaj. Sa më i shkurtër të jetë afati i maturimit, aq më i lartë do të jetë kësti mujor, por në vlerë absolute do të paguani më pak interes gjatë ripagimit të kredisë.

2. Çfarë është norma e interesit të kredisë?

Interesi është kryesisht çmimi që ju i paguani institucionit huadhënës për përdorimin e parave të tyre. Sigurisht, sa më e ulët të jetë norma e interesit aq më të ulta do të jenë këstet mujore. Bëni kujdes në dallimin e ndryshimit midis normës nominale dhe asaj reale të interesit. Norma nominale siç komunikohet shpesh në spotet televizive nuk përfshin kostot shtesë mbi huanë (komisionet, tarifat, primet e sigurimeve, etj), ndërsa norma reale i përfshin të gjitha këto kosto shtesë.

3. Sa është minimumi i këstit të parë (Kapari)?

Kësti i parë është minimum 20% të vlerës së objektit të kredisë. Kjo shumë përgjithësisht është rezultat i kursimeve familjare. Është e rëndësishme të dish se shtëpia e re kërkon edhe shpenzime të tjera si p.sh shpenzime për mobilimin e shtëpisë. Në mënyrë që të përballoni këto shpenzime, ju mund të likuidoni minimumin e kaparit të kërkuar dhe të përdorni pjesën tjetër të kursimeve për të blerë mobiliet e shtëpisë dhe për të shlyer detyrime të tjera. Sa më e ulët pjesa e kaparit të paguar, aq më i lartë do të jetë kësti mujor i kredisë.

4. Çfarë është shuma e kredisë hipotekore?

Shuma e kredisë hipotekore është shuma e parave që ju po merrni hua. Kur blini një shtëpi, kjo shumë është zakonisht çmimi i shtëpisë plus çdo komision dhe kosto minus këstin e parë (kapari). Sa më i ulët kapari i paguar aq më e madhe është shuma e kërkuar e kredise. Nëse po rifinancoheni, shuma e rifinancimit të kredisë suaj duhet të jetë shlyerja e kredisë aktuale plus çdo tarifë shtesë.

5. Cfarë ështe kërkimi në Regjistrin e Kredive?

Kur ju aplikoni për një kredi hipotekore, oficeri i kredisë duhet të marrë një klauzolë nga secili aplikant, bashkë-kredimarrës dhe dorëzanës në mënyrë që të bëjë një kërkim në Regjistrin e Kredive për secilën palë të përfshirë në kredi. Regjistri i Kredive është një bazë elektronike të dhënash për kredimarrësit dhe dorëzanësit sipas sistemit bankar dhe institucioneve të tjera financiare në Shqipëri. Kërkimi në Regjistrin e Kredive i gjeneruar për Kredimarrësin/Dorëzanësin përmban informacion mbi shumën e kredisë, pagesat, shumat në vonesë, kolateralet, linjat e kredive në rastin kur kredimarrësi është person i lidhur dhe historikun e pagesës së kredive për dy vitet e fundit. Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm në procesin e ripagimit të kredisë në mënyrë që të keni një historik kredie të mirë. Klientet me historik kredie të keq do të kenë vështirësi në rastin kur kërkojnë të rifinancohen.

6. A përfshijnë këstet mujore të kredisë sigurimet e pronës dhe të jetës?

Pagesa mujore e principali dhe interesit nuk përfshin shumën që duhet të paguani çdo vit për sigurimin e jetës dhe pronës. Pothuajse të gjitha kontratat e kredisë hipotekore përmbajnë kërkesën që tregon se huamarrësi duhet të paguajë të dyja sigurimet.

7. Çfarë është komisioni i anagazhimit dhe kujt i paguhet?

Kostot e marrjes së kredisë mund të jenë të vështira për t’i dalluar sepse shpesh ato paguhen në datën e disbursimit të kredisë që po merrni dhe jo nga buxheti juaj por ju akoma vazhdoni ti paguani ato! Disa nga këto kosto janë: komision disbursimi, pagesat për sigurimin e pronës dhe të jetës, etj. Sigurohuni të kuptoni çdo element të kostos dhe kujt po i paguhen paratë.

8. A përmban kontrata e kredisë komision parapagimi?

Komisioni i parapagimit është një tarifë që ju ngarkohet nëse e shlyeni kredinë para afatit të maturimit. Penalitetet aktuale për shlyerje të kredisë para afatit të maturimit të aplikueshme nga bankat bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë janë 2% të shumës së kredisë së paguar para afatit, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është mbi 1 vit dhe 1% të shumës së kredisë së paguar para afatit, nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë nuk kalon 1 vit.

9. A duhet ti kuptoj të gjitha pikat në dokumentet e nënshkruara?

Ju duhet të lexoni me kujdes dhe të kuptoni marrëveshjen e kredisë, kontratën e hipotekës, kushtet dhe termat e policave të sigurimit me qëllim që të kuptoni të drejtat dhe përgjegjësitë tuaja. Mund të hasni vështirësi në të kuptuarit e afateve dhe kushteve të kredisë, prandaj mos hezitoni të pyesni oficerin e kredisë. Kini kujdes dhe sigurohuni se çdo gjë që keni diskutuar dhe pranuar gjatë proçesit të kredisë, është materializuar në dokumente ligjore. Çfarë mbetet në fund është kontrata, e cila është baza e zgjidhjes së problemeve tuaja në të ardhmen.

10. A mund ta transferoj principalin e mbetur të kredisë në një bankë tjetër?

Ju mund ta transferoni principalin e mbetur të kredisë suaj në një bankë tjetër nëqoftëse kjo bankë ofron kushte dhe terma më të mira kredie. Kjo vjen si rezultat i uljes së vazhdueshme të interesit të kredisë (normës baze dhe marzhit). Në çdo rast ju duhet të keni në vëmendje kostot e transferimit të kredisë dhe të bëni analizën nëse ia vlen ta transferoni kredinë në bankë tjetër; të krahasoni kostot dhe benefitet nga ky transferim. Kostot mund të jenë:

  • penaliteti për shlyerje të parakohshme të kredisë,
  • shpenzimet për noterizimin e kontratës së kredisë dhe kontratës së hipotekës,
  • shpenzime hipotekore,
  • shpenzime për sigurimin e pronës dhe jetës (nëse aplikohen)
  • shpenzime të tjera.

 Përfitimi kryesor për transferimin e kredisë është norma më e ulët e interesit. Transferimi i kredisë mund të ketë edhe përfitime të tjera në varësi të karakteristikave të produkteve të bankave.

11. Çfarë është informacioni parakontraktor për kreditë hipotekore?

Pasi keni diskutuar me oficerin e kredisë të gjitha kushtet dhe termat e kredisë për kreditë hipotekore dhe keni rënë dakort mbi këto kushte dhe terma, oficeri i kredisë duhet t’ju japi të gjithë këtë informacion në formë të shkruar, bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë. Ky informacion përfshihet në Fletën e Standartizuar të Informacionit Parakontraktor dhe hartohet bazuar në termat e zgjedhur nga ju. Kushtet dhe termat për të cilat keni rënë dakort nuk ndryshojnë për një periudhë të shkurtër kohe. Këtë dokument ju duhet ta merni nga banka të ndryshme dhe mund të krahasoni kushtet dhe termat e kredive hipotekore në mënyrë që të zgjidhni termat dhe kushtet më të mira për ju.

APLIKO TANI